Costacurta, shumë i ashpër me Leaon: Çfarë talenti ka ai? Teknikë dhe shpejtësi, po golat….

21 Tetor 2024
10:55
Alfred Lleshi
back button

Ish-mbrojtësi i Milanit, Alessandro Costacurta, foli nga studiot e “Sky Sport 24” për situatën e kuqezinjve: “Mendoj se Fonseca u lidh me lojtarët gjatë javës. Ai donte të komunikonte, për mendimin tim, me masmedian dhe botën e jashtme, sepse ishte lodhur duke i vuajtur disa situata, si penalltitë në Firence, ku lojtarët bënë sipas mendjes së vet.

Mendoj se historia e penalltive ishte shumë e vështirë për t’u kapërcyer, por Fonseca mori kontrollin e skuadrës duke e treguar fillimisht me fjalë dhe pastaj përdori një formacion që iu përgjigj mirë. Veçanërisht ai që zëvendësoi Leaon luajti më mirë se portugezi”.

Më pas, ish-mbrojtësi iu kthye rastit të freskimit të lojtarëve me ujë, kur Theo Hernandez dhe Leao u distancuan nga shokët e skuadrës e trajneri: “Për mendimin tim ajo ishte një situatë keqkuptimi. Ka momente në të cilat lojtarët nuk e kuptojnë se ka gjëra të rëndësishme për t’u bërë me ekipin, ky për mendimin tim ishte gjest i pavetëdijshëm…

Megjithatë, si profesionist nuk mund të mos e dini se, duke qëndruar atje, pa shkuar afër stolit, do të kishte polemika. Kjo do të thotë se jetoni në një dimension tjetër. Ndryshon puna te penalltitë e humbura ndaj Fiorentinës.

E kuptoj që kapiteni Theo e merr përsipër të parën, por e dyta, e pafalshme… Në atë rast Fonseca donte të përsëriste se ishte i lodhur me kësi gjërash. Ai provoi një qasje të butë, por që nuk funksionon me ata lojtarë që duan të tejkalojnë edhe trajnerin”.

Më pas u fokusua te Leao: “Ne vazhdojmë të flasim për të, por nga pikëpamja e performancës ai është ndoshta për rezervë e parë. Pse po flasim për Leaon? Sepse presim shumë prej tij. A nuk po bën të njëjtën gjë edhe Thiago Motta me Douglas Luiz? Çfarë duhet të bëjmë, t’i trajtojmë të gjithë njësoj, sikur në përralla?

Talenti duhet të bazohet në 5-6 kritere, Leao llogaritet në mesin e 10 lojtarëve më të mirë të momentit, por nuk po e dëshmon këtë fare në fushën e lojës. Çfarë talenti ka ai? Teknikë dhe shpejtësi, po golat… Lidershipi në futboll është ndoshta edhe më i rëndësishëm se talenti teknik”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit