Në prag të ndeshjes së tretë në Champions League kundër Sparta Pragës, trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka folur për situatën te “citizens”. Trajneri spanjoll është ndalur në veçanti në lidhjen e veçantë që ka me mbrojtësin John Stones, njeriun që i dha fitoren në fundjavë ndaj Wolves.
“John është sikur të jetë djali im, sinqerisht. Unë e di gjuhën e tij të trupit, di gjithçka për të. Ai është një nga profesionistët më të adhuruar dhe një person i dashur. Nuk ka asnjë person që do të doja më shumë se ai”, u shpreh Pep Guardiola për mbrojtësin anglez, një nga të besuarit e tij.
Duke folur për ndeshjen e sotme, ai shtoi: “Sezoni është i gjatë dhe ka shumë ndeshje të vështira. E pamë këtë gjë ndaj Wolves dhe kështu do të jetë edhe sot në Champions. Duht përqendrim, durim dhe kujdes, pasi çdo situatë mund të ndryshojë rezultatin në favor apo kundër”.