Rikuperimi i mesfushorit spanjoll Gavi është padyshim një një lajm shumë i rëndësishëm për trajnerin Hansi Flick, fansat dhe gjithë Barcelonën. Lojtari është rikthyer në fushë kundër Sevillas pas një viti mungesë për shkak të dëmtimit të rëndë të pësuar në kombëtare dhe tani dëshiron të rimarrë vendin e tij.
“Kam mësuar shumë gjëra gjatë kësaj periudhe. Tani u jap më shumë vlerë gjërave. Dëmtimi është një mësim që do ta marr me vete gjatë gjithë jetës sime. Ky dëmtim është një nga më të vështirat, por unë dola prej tij një person më i mirë dhe një shok skuadre më i mirë”, tha mesfushori andaluzian.
Gjatë gjithë procesit të rikuperimit atij nuk i ka munguar mbështetja e shokëve të skuadrës dhe stafit mjekësor të klubit, por mbi të gjitha e familjes së tij. “Familja ime ishte e rëndësishme, pasi me të ndaj jetën e përditshme. Gjatë gjithë kësaj kohe jam mbështetur tek ajo e miqtë e mi”, tha Gavi pas fitores në “el clasico”.
21-vjeçari e di se do të duhet ende pak kohë për të qenë në 100% të formës së tij dhe nuk dëshiron presion: “Më duhet të rris ritmin në çdo ndeshje, të gjej formën që kisha përpara dëmtimit. Sezoni është ende i gjatë, kemi shumë muaj përpara dhe jam i sigurt se do t’i arrij shokët e skuadrës. Ajo që më duhet është të gjej sërish ritmin”.