Derbi italian me më shumë gola në histori (barazoi 8 golat e vitit 1932, është e pamundur të mos flitet për derbin e vitit 1961 me 10 gola, por me të rinjtë në fushë) sigurisht që ishte spektakolar, por padyshim që i la tifozët e Interit me ndjesinë e humbjes, jo vetëm për 2 pikët e çuara dëm.
Zhgënjyes është shpërdorimi i avantazhit me dy gola (4-2), i dyti nga disavantazhi i dyfishtë dhe kundër një ekipi që kishte shumë probleme dëmtimesh dhe sigurisht më pak përvojë e cilësi. Duke folur për rotacionin në formacion, kritikat për gabimet e mundshme të Simone Inzaghit janë të kota, sepse të gjitha ishin zëvendësime të detyruara.
Zielinski u improvizua si “regjisor”, Asllani nuk kishte asnjë mundësi aktivizimi prej lëndimit, Darmian duhej të hynte në vend të Dumfries, Dimarco kërkoi zëvendësim dhe mbi të gjitha kishte kuptim që Pavard të dilte nag fusha, sepse dështoi në markimin e Yldiz.
Futbolli nuk është një ekuacion i saktë, shpesh përqendrohemi në provat më të thjeshta, edhe nëse nuk e vërtetojmë vërtet atë, kur realiteti është më kompleks dhe më i nuancuar. Në rastin e Interit, duke parë se çfarë ndodhi me Monza, Genoa, Udinese, Juventus, Torino, realiteti ishte përsëri sistematik.
Interi luan më mirë se të tjerët, krijon më shumë raste se të tjerët (12 me 8 kundër Juventusit), por nuk shpagohet sa duhet. Kjo është pjesë e lojës, por e papranueshme dhe e pakuptueshme është se si zikaltrit, thuajse sistematikisht pësojnë nga kundërshtarët mesataren e çmendur prej 1 goli në çdo 2 raste të krijuara.
Prapavija e Interit duket se nuk është e pakalueshme si sezonin e kaluar dhe kjo është njerëzore. Sidoqoftë, nuk mund të tolerohet pamundësia për ta menaxhuar avantazhin, për t’i anestezuar ndeshjet, për të ndërruar marshin brenda ndeshjes kur duhet, duke e ulur ritmin dhe ngritur atë sipas dëshirës.
Duket sikur Interi i dy viteve më parë, i cili në të vërtetë luajti po aq mirë, por u përkeqësua në fazën e mbrojtjes, ekspozoi mbrojtjen ballë për ballë, nuk shtrëngoi linjat dhe lejoi veten të kapej në kundërsulm, pavarësisht se kishte një avantazh komod, siç ndodhi edhe ndaj Juventusit.
Koka (jo e qetë) e lojtarëve zikaltër duket përgjegjëse për këtë, kështu që në një kuptim të gjerë është padyshim problem përqendrimi, ose mjaftueshmërie të të ndjerit shumë superior. Përfundimisht, skuadrës së Inzaghit duket se i mungon pjekuria për të kuptuar momentin e ndeshjes, në të cilën duhet kontrolluar loja dhe mposhtur kundërshtari me inerci.