Lionel Messi nuk e ka harruar Barcelonën, do të ishte e pamundur ta bënte këtë. Tetë herë fituesi i “Topit të Artë” përfitoi nga fitorja e bujshme 4-0 e Blaugranave në “El Clasico” e parë sezonale, të luajtur të shtunën në “Santiago Bernabeu”, për t’i dërguar një mesazh ish-klubit të tij.
Sulmuesi aktual i Inter Miami ka reaguar me emocion ndaj postimit të klubit katalanas në Instagram, ku shpalli triumfin ndaj Real Madridit: “Sa fitore e bukur!!!” Komenti i shkurtër i “La Pulga” i emocionoi tifozët e Barçës, të cilët nuk hezituan të ndërveprojnë me të. Jo rastësisht mesazhi i tij në fjalë mori më shumë se një milion “like” në rrjetet sociale.
“Pokeri” i Barcelonës ndaj Real Madridit shkon përtej pasojave thjesht sportive. Skuadra e Hansi Flick konsolidon epërsinë e saj me 6 pikë para të bardhëve të Ancelottit. Kjo bëri që tifozët e Barcelonës, të të gjitha moshave dhe kushteve, të tregonin krenarinë e tyre për lojën dhe rezultatin e madh. Midis “culés” që ndanë kënaqësinë e tyre me rezultatin historik ka dhe emra shumë të shquar.
Shumë ish-lojtarë, të cilët vazhdojnë të shprehin statusin e tyre si tifozë të Barcelonës, kanë postuar në orët e fundit foto dhe referenca për fitoren historike të së shtunës së kaluar në “Santiago Bernabeu”, në ndeshjen që korrespondonte me javën e 11-të të La Liga-s. Njëri nga ata që bëri më shumë bujë, siç shkruajtëm më lart, ishte Leo Messi, i cili tregoi edhe një herë përkushtimin e tij ndaj ngjyrave blaugrana.
Edhe lojtarë të tjerë ndërvepruan me profilin e entitetit katalanas për të duartrokitur fitoren. Këto janë rastet, ndër shumë të tjerë, të Luis Suarez, Andrés Iniesta, Gerard Pique, Jordi Alba, Sergi Roberto, Arturo Vidal, Ilkay Gündogan, Joao Cancelo.