Fitoi gjyqin ndaj akuzave për pë*dhunim, tani mposht edhe… Manchester City. Mbi 13 milionë euro shkojnë për Mendy

7 Nëntor 2024
10:04
Alfred Lleshi
back button

Këto janë kohë të vështira për Manchester City në fushë, por jo vetëm. Ndërsa skuadra u zhyt në një krizë të paprecedentë nën drejtimin e Guardiolës, klubi humbi betejën gjyqësore me Benjamin Mendy. Mbrojtësi francez kishte paditur “qytetarët” për mbi 11 milionë paund (mbi 13 milionë euro) paga të pashlyera, pasi u akuzua dhe më pas u shpall i pafajshëm për sulm seksual.

Gjyqtarja Joanne Dunlop pranoi pjesërisht ankesën e Mendy. Gjykata theksoi se “rezultati i këtij vendimi është se z.Mendy do të ketë të drejtë të marrë shumicën e pagave të tij të papaguara, edhe pse jo shumën e plotë”.

Dunlop shpjegoi në vendimin e tij se Mendy kaloi dy periudha në paraburgim, duke mbuluar rreth 5 muaj të periudhës 22-mujore të ankesës së tij, gjatë së cilës Manchester City kishte të drejtë t’i pezullonte pagat e tij.

Mendy, pas lirimit në korrik 2023, kishte paraqitur ankesë në gjykatën e punësimit kundër Manchester City, duke kërkuar pagat e prapambetura dhe interesa që nga momenti që Manchester City ndaloi së paguari atë, në shtator 2021, deri në fund të kontratës së tij, në qershor 2023.

Sipas gjyqtares, kur Mendy nuk ndodhej në paraburgim, ai ishte i gatshëm për të punuar, por u pengua ta bënte këtë nga pezullimi i vendosur nga Federata Angleze e Futbollit. Në këto rrethana dhe në mungesë të autorizimeve kontraktuale, që i lejonin punëdhënësit t’ia mbante pagën në burim, ai kishte të drejtë të paguhej.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit