Nuk mund të mbetesh i pamposhtur përgjithmonë, sidomos në futboll. Pep Guardiola pajtohet me fatin e tij, duke e konsideruar veten normal, pas një karriere trajneri, e cila filloi në vitin 2007 me Barcelonën B dhe prej atëherë është zhvilluar plot kënaqësi dhe trofe.
Ai nuk kishte humbur kurrë 4 ndeshje radhazi në karrierë. Një makth që u bë realitet pas përmbysjes së Brighton, por dhe disfatave ndaj Bournemouth në Premier League e Sporting Lisbonës në Champions League.
“Sporti nuk është gjithmonë diell, nuk ka gjithmonë kohë të mira, – tha Pep në konferencën për shtyp, ku e pyetën nëse ky është fundi i një epoke. – E di që njerëzit na duan, e kam ndjerë këtë për shumë e shumë vite. Duhet të përpiqemi të fitojmë sërish.
Duhet t’i ndryshojmë gjërat shpejt, por kjo do të ndodhë kur lojtarët të kthehen nag dëmtimet. Ka alibi dhe nuk janë të pakta pas kësaj situate. Para së gjithash, do të ishte çmenduri të mendosh se një ekip mund të dominojë për 9 sezone radhazi”.
Që kur mbërriti në stolin e Manchester City, trajneri Guardiola ka luajtur 8 sezone në Premier League, duke triumfuar në 6 prej tyre. Ai dështoi karshi Chelsea për titullin, vitin e parë kur mbërriti në Angli, kur ende duhej ta mësonte skuadrën me metodat e tij të punës, dhe ndaj Liverpool-it më 2020. Ky është sezoni i tij i nëntë dhe, pavarësisht gjithçkaje, është i dyti në klasifikimin actual të Premier League, 5 pikë më pak se Liverpool-i i pandalshëm.
Pastaj ka faktorë të tjerë për t’u vlerësuar në këtë situatë krize të “qytetarëve”. Për shembull, fushata e blerjeve, e kufizuar vetëm te Savinho, i ardhur nga Girona, e kushtëzuar nga “shpata e Demoklut”. Kjo e fundit nënkupton dënimin e mundshëm për shkeljet e shumta të pretenduara të “fair play financiar”.
Njëkohësisht ka pasur edhe largime gjatë verës, mendoni vetëm lamtumirën e Julian Alvarez. Për më tepër, lëndimet në rolet kryesore janë shtuar. Mbi të gjitha është dëmtimi i Rodrit, por nuk duhet harruar se De Bruyne ka filluar të luajë jo me kohë të plotë në dy ndeshjet e fundit.
Kundër Brighton, lojtarë si Dias, Stones, Doku, Grealish, Aké dhe Akanji ishin gjithashtu të padisponueshëm, duke e detyruar Guardiolën të nxirrte në fushë, për herë të dytë pas Lisbonës, 19-vjeçarin Jahmai Simpson-Pusey (në qendër të mbrojtjes).
Rico Lewis dhe Matheus Nunes nuk duken në lartësinë e një skuadre me ambicie si manchester City, ndërsa Kovacic, Gundogan dhe Bernardo Silva tashmë kanë dhënë më të mirën në karrierën e tyre. Për momentin, vetëm Foden dhe sulmuesi rekordmen Haaland (me golin ndaj Brighton vendosi rekordin e ri prej 75 golash në 77 ndeshje në kampionatin anglez), duken të aftë për ta mbajtur lart flamurin e lëkundur të Manchester City.
Dyshimet për të ardhmen e Guardiolës, kontrata e të cilit skadon në fund të sezonit, mund të jenë një arsye tjetër për konfuzion brenda mjedisit blu, edhe pse asgjë nuk është vendosur. Madje as mund të imagjinohet destinacioni i ardhshëm i Pep, duke qenë se më të mundshmet si kombëtarja angleze (që ka zgjedhur tashmë Tuchel) dhe ajo braziliane (që ka mohuar interesimin për katalanasin) nuk janë më pista konkrete.
Fakti mbetet se, nëse sezoni përfundon pa tituj, askush nuk do të jetë në gjendje ta minimizojë suksesin e Guardiolës në Manchester. Në pjesën e City ai arriti diçka që vështirë se do të përsëritet më kurrë në vitet e ardhshme.