Capello për garën e titullit: Interi mbetet favoriti, por të gjithë mund ta thonë fjalën e tyre

12 Nëntor 2024
11:05
Alfred Lleshi
back button

Kampionati aktual italian është padyshim një nga më emocionuesit e viteve të fundit. Në kapërcyellin e javës së 12-të të Serie A janë 6 skuadra të distancuara me vetëm 2 pikë. Napoli kryeson me 26 pikë, pak përpara Atalantës, Interit, Lazios, Fiorentinës dhe Juventusit. Në lidhje me këtë, Fabio Capello foli për garën e titullit në “Gazzetta dello Sport”, duke nisur me favoritin e tij:

“Interi është pak i ngadalësuar në krahasim me sezonin e kaluar, të paktën nga sa kemi parë deri më tani. Sidoqoftë, unë besoj se zikaltrit janë ende kandidatët numër një për titullin. Nëse Inzaghi do të jetë në kontakt të drejtpërdrejtë me kreun e renditjes në mars, atëherë do të ketë gjithçka që duhet për sprintin vendimtar”.

Për Napolin dhe Juventusin: “Conte është i vetmi që nuk i ka Kupat e Europës si angazhim ekstra. E pamë edhe të dielën në mbrëmje, lojtarët blu ishin më të freskët se kundërshtarët e tyre. Napoli e ruajti vendin e parë pas ‘triptikut’ ndaj Milanit, Atalantës dhe Interit, teksa ka luajtur tashmë ndaj Juventusit.

Tani ata do të kenë një kalendar më pak të vështirë, të cilin do të duhet ta shfrytëzojnë më së miri. Juventusi ka një pikëpyetje në lidhje me Vlahovic, i cili nuk është ‘9’ ideal për trajnerin Motta. Kjo gjë mund të jetë problem në planin afatgjatë”.

Për Atalantën: “Tani e konsideroj një realitet ekselence. Fitimi i Ligës së Europës i ka dhënë grupit të Gasperinit një ndërgjegjësim të madh. Nuk është rastësi që sot bergamaskët fitojnë edhe kur nuk janë shumë të shkëlqyer, shikoni për shembull ndeshjen kundër Udinese”.

Për shanset e Milanit: “Nëse do të ishte gjithmonë skuadra që pamë në Madrid, përgjigjja do të ishte padyshim po, ka shanse për titullin. Megjithatë, në versionin e Cagliarit, do të ishte e komplikuar që Fonseca të rikuperonte distancat. Nuk mund ta themi ende se cili është Milani i vërtetë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit