Solskjaer pendohet për kthimin e CR7 te Manchester United: Ndihmësi im më paralajmëroi, por…

12 Nëntor 2024
11:53
Alfred Lleshi
back button

Vite më vonë, mund ta themi pa frikë se zgjedhja për ta rikthyer Cristiano Ronaldon te Manchester United nuk ishte fituese. Ish-trajneri i “Djajve të Kuq”, Ole Gunnar Solskjaer, tani ka zbuluar se ishte paralajmëruar nga kolegu i tij aktual i Ipswich Town, McKenna, i cili ishte pjesë e stafit stërvitor të norvegjezit në “Old Trafford”. Pra, ish-krahu i tij i djathtë si trajner i Manchester United i kishte sugjeruar të mos nënshkruante me luzitanin.

Duke folur në podkastin e medias norvegjeze NRK, Solskjaer foli për dyshimet e McKenna në lidhje me integrimin e Ronaldos në ekip, pasi analizoi ndeshjet e kapitenit të Portugalisë kur ishte te Juventusi: “Ai më pyeti: Si do të mbrohemi? Kjo është gjëja e parë që më tha McKenna. Ndoshta ishte zgjedhja e gabuar për të gjithë ne, që besuam sikur ishte vendimi i duhur në atë kohë”.

Që kur u shkarkua nga Manchester United, pothuajse tri vite më parë, Solskjaer nuk ka pranuar rol tjetër trajneri, duke pritur rastin e duhur: “Jam krenar për atë që kam bërë. Më duhet të them se kemi bërë gjëra shumë të mira.

Ne ishim duke shkuar drejt diçkaje shumë pozitive, përfunduam të tretët dhe të dytët. Arritëm në disa gjysmëfinale dhe për fat të keq e humbëm atë finale kundër Villarrealit. Nëse do ta kishim fituar atë finale, do të kishte qenë një rrugëtim krejtësisht tjetër”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit