Lautaro Martinez më në fund e ngriti trofeun e titullit (“mezi po e prisja” tha ai pas ndeshjes me Lazion), por padyshim që lajmet zikaltër mund të fokusohen vetëm në situatën “Zhang-Oaktree”: “Menaxhmenti dhe klubi do të kujdesen për këto gjëra, ne mendojmë vetëm për fushën. Tani le të shijojmë festën e titullit”.
Kapiteni i Interit, duke folur për “Dazn”, nuk iu shmang as çështjes së rinovimit të kontratës: “Nuk e di nëse çështja e korporatës ka ndikuar në diskutimet, sigurisht që do të duhet të gjejmë një marrëveshje këtë javë”. Pra, argjentinasi parashikon mundësinë e një takimi mes agjentëve dhe klubit për të folur mbi zgjatjen e kontratës.
Lautaro analizoi edhe ndeshjen kundër Lacios: “Mezi e prisja këtë ditë të veçantë, duke festuar me familjen time dhe të gjithë tifozët në ndeshjen e fundit në shtëpi të sezonit. Ne donim të fitonim, por u përballëm me Lazion, që luan për kualifikim në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, sërish patëm një paraqitje të shkëlqyer”.
Për sezonin: “Kur mbërrita në Itali, nuk do ta kisha imagjinuar gjithë këtë, por kemi punuar shumë, si ekipi ashtu edhe stafi teknik. Lotët pas derbit që vendosën kampionatin? Në atë festë pati keqardhje për finalen e Ligës së Kampionëve të humbur vitin e kaluar, për shkak të eliminimit europian të sivjetshëm dhe zhgënjimit në Kupën e Italisë. Kishte shumë gjëra të grumbulluara me punë, sakrifica dhe përulësi, e merituam këtë titull pas një rrugëtimi të vështirë prej 38 ndeshjesh”.