Barcelona “peshkon” në Serie A, planifikohet goditja e madhe në merkato

16 Nëntor 2024
9:52
Alfred Lleshi
back button

Rafael Leao dhe Khvicha Kvaratskhelia në kopertinën e një prej gazetave kryesore sportive të Spanjës? Është e mundur, nëse flasim për merkaton e futbollit. Referenca është faqja e parë e katalanases “Sport”. Në fakt nuk është gjë tjetër, veçse projeksioni i një dëshire të Barcelonës, që duket në gjurmët e dy kampionëve, të cilët luajnë me Milanin dhe Napolin.

Titulli është elokuent: “Goditja e madhe”. Kërkuesi i të dyve është një nga klubet më të rëndësishme, Barcelona. Dhe më pas tema bëhet e zakonshme: Blaugranët po i kushtojnë vëmendje merkatos europiane (dhe më gjerë) në kërkim të kampionëve për sezonin e ardhshëm. Në radarët e tyre, kuptohet, janë dy nga përfaqësuesit kryesorë të Serie A.

Si drejtori sportiv, Deco, ashtu edhe trajneri Flick, kanë objektivin e përbashkët për të afruar lojtarë të rëndësishëm, por gjithmonë duke “vënë bast” për sektorin e jashtëzakonshëm të të rinjve (“La Masia”). Ambicia është forcimi i korsisë së majtë, për të formuar një repart të avancuar, si pjesë e modulit të frikshëm 4-3-3. Mes emrave të lakuar janë edhe Nico Williams, për të cilin u bë një tentativë në verë, përveç Sane, Salah dhe Adeyemi.

Por siç u përmend, fokusi në orët e fundit është zhvendosur ndjeshëm në kampionatin italian: nga njëra anë Leao (për të cilin ka një klauzolë 175 milionë euro) dhe nga ana tjetër Kvaratskhelia, gjeorgjiani i Napolit. Klubi i De Laurentiis ende po negocion për rinovimin e kontratës me yllin e vet (80 milionë euro është klauzola që agjentët e gjeorgjianit do të donin të përfshinin në marrëveshjen e re, që skadon aktualisht në 2027).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit