Di Maria, nostalgjik për Mourinhon: Njeri i jashtëzakonshëm, i mbron lojtarët e vet deri në vdekje…

20 Nëntor 2024
8:10
Alfred Lleshi
back button

Ndryshe nga thashethemet që qarkulluan në verë për një rikthim të mundshëm në vendlindje, Angel Di Maria qëndroi te Benfica, të paktën edhe një sezon tjetër. Ai aktualisht luan në krahun e djathtë si sulmues anësor, rol të cilin e mbuloi edhe mes Juventusit e PSG-së. Pikërisht këtë rol ia “farkëtoi” José Mourinho gjatë kohës së tij te Real Madridi.

“El Fideo” donte të tregonte se sa vendimtar ishte kryqëzimi i rrugëve me “Special One”, i pari që e vendosi në atë pozicion preciz: “Kam luajtur gjithmonë në të majtë, që i vogël, derisa mbërrita te Real Madridi më 2010-2011. Ishte Cristiano Ronaldo në anën tjetër dhe unë duhej të gjeja një hapësirë ​​për veten. Në fund përfundova në të djathtë, rol që filloi të më pëlqente. U ndjeva shumë rehat dhe më pas vazhdova të luaja gjithë karrierën time në të djathtë”.

Duke hyrë në meritat e ish-trajnerit të Interit dhe Romës, ndër të tjera, argjentinasi shtoi: “Mourinho nuk kishte pse të më thoshte asgjë. Ishte e pamundur të luaja në të majtë të atij ekipi. Me skemën e tij 4-3-3 ishte e pamundur të luaja në të majtë. Më duhej të përshtatesha me ata lojtarë që ishin atje. Benzema dhe Higuain ishin sulmuesit. Më duhej të luaja në të djathtë, zbulova një aspekt të ri, u përshtata mirë, duke u përpjekur për të prerë nga brenda”.

Më tej komentoi figurën e Jose: “Mourinho është një person i jashtëzakonshëm. Ai i mbron lojtarët 100%, deri në vdekje. Nëse jep 100%, ai të jep jetën. Kanë qenë tri vite shumë të mira. Nuk kam asgjë negative për të thënë mbi të”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit