Platforma “Netflix” ka publikuar një dokumentar të ri mbi Ligën e Arabisë Saudite, të titulluar “Saudi Pro League: Një Epokë e Re”. Një nga protagonistët kryesorë të këtij dokumentari është Cristiano Ronaldo, i cili në janar të vitit 2023 iu bashkua klubit Al Nassr, duke nisur një kapitull të ri në karrierën si futbollist profesionist, ndoshta i fundit në nivel klubesh.
Rrugëtimi i Ronaldos drejt Arabisë Saudite
Cristiano Ronaldo mbërriti në Arabinë Saudite pas përfundimit të periudhës së tij të dytë te Manchester United. Futbollisti portugez vendosi të largohej nga klubi anglez për shkak të rolit të kufizuar që kishte në skemën e trajnerit Erik ten Hag dhe marrëdhënies së tensionuar me teknikun holandez. Pas përfundimit të Kupës së Botës “Katar 2022”, Ronaldo firmosi për Al Nassr, ku vazhdon të luajë edhe sot. Dokumentari eksploron ndikimin e tij dhe të lojtarëve të tjerë të famshëm në transformimin dhe rritjen e Ligës Saudite si një destinacion i ri për futbollistët e nivelit të lartë.
CR7: Jam këtu për të fituar dhe për të lënë një trashëgimi
Në dokumentarin e “Netflix”, Cristiano Ronaldo thekson se ende ndjen të njëjtin pasion për futbollin si gjithmonë dhe se qëllimi i tij me transferimin tek Al Nassr ishte të linte një trashëgimi:
“Erdha për të fituar, për të përmirësuar ligën. Dua të lë një trashëgimi. Kjo është ajo që dua. Thonë se jam i mbaruar, se jam këtu vetëm për para…, por ende luaj me pasion. Nuk e besojnë, por unë jam këtu për të fituar”.
Ndikimi i Ronaldos në Ligën Pro Saudite
Ronaldo ka hapur dyert për lojtarë të mëdhenj që të transferohen në Arabinë Saudite, duke e rritur ndjeshëm nivelin e ligës së saj të futbollit. Klube si Al Hilal, Al Ittihad dhe Al Ahli kanë tërhequr emra të njohur botërorë.
Al Hilal, klubi për t’u mposhtur, numëron lojtarë si Bono, Joao Cancelo, Renan Lodi, Koulibaly, Milinkovic-Savic, Ruben Neves, Mitrovic dhe Neymar (ky i fundit ka qenë i kufizuar për shkak të një dëmtimi serioz në gju).
Al Ittihad ka në radhët e tij lojtarë si Kanté, Fabinho, Aouar, Moussa Diaby dhe Karim Benzema. Sulmuesi francez iu bashkua klubit saudit një vit pas fitimit të “Topit të Artë”.
Al Ahli ka transferuar lojtarë të rëndësishëm si Edouard Mendy, Kessié, Gabri Veiga, Mahrez, Firmino dhe Ivan Toney.
Statistikat mbresëlënëse të Ronaldos
Që nga mbërritja tek Al Nassr, Ronaldo ka luajtur 79 ndeshje, duke shënuar 68 gola dhe dhënë 18 asiste. Në sezonin 2023-2024, ai ishte golashënuesi më i mirë i vitit (përfshirë dhe golat me kombëtaren), me 57 gola. Aktualisht, tek Al Nassr e ndan dhomën e zhveshjes me yje si Laporte, Brozovic, Otavio dhe Sadio Mané, duke synuar t’i japë fund dominimit të Al Hilal.
Synimi i 1000 golave dhe e ardhmja
Me 910 gola të shënuar deri tani, Ronaldo ka një synim ambicioz: të arrijë shifrën e 1000 golave. Por, siç e pranoi vetë pas fitores së Portugalisë kundër Polonisë (5-1), ka të ngjarë të tërhiqet nga futbolli brenda një ose dy vitesh: “Nëse duhet të ndodhë, parashikoj brenda një ose dy vitesh. Nuk e di, së shpejti mbush 40 vjeç”. Edhe pse ky rekord duket i paarritshëm, Ronaldo vazhdon të shkruajë historinë, me ndikim të pashlyeshëm në futbollin botëror.