Këngëtari dhe kantautori i njohur britanik dhe një nga muzikantët më me ndikim të gjeneratës së tij, Ed Sheeran ndihmoi klubin e tij të preferuar të futbollit Ipswich Town për të sjellë një futbollist këtë verë. Shefi ekzekutiv i Ipswich, Mark Ashton, zbuloi për mediat se Sheeran ishte ndoshta faktori kryesor në arritjen e një futbollisti në stadiumin Portman Road gjatë verës.
“Këtë verë ne po përpiqeshim të merrnim një lojtar që t’i bashkohej klubit tonë dhe e kuptuam shumë shpejt se ai e pëlqen vërtet Ed Sheeran”.
“Ed u lidh në një telefonatë në Zoom me të menjëherë përpara se të dilte në skenë me Taylor Swift. Jemi të sigurt që ishte një moment kyç në negociata”, tregon Ashton. Ai nuk ka dashur të zbulojë se për cilin lojtar bëhet fjalë, vetëm ka thënë se ky futbollist shënon gola.
Vetëm dy lojtarë të Ipswich kanë shënuar më shumë se një gol këtë sezon – Liam Delap, i cili u bashkua nga Manchester City në korrik dhe Sammie Szmodics, i cili erdhi nga Blackburn Rovers në gusht. Ylli britanik i muzikës bleu një pakicë të aksioneve në Ipswich Town në gusht të këtij viti.
Sheeran bleu 1.4 për qind të aksioneve të klubit, i cili u rikthye në klasën elitare të futbollit anglez pas 22 vitesh. “Ne kemi kaluar nga niveli i tretë i futbollit anglez në Ligën Premier, por nuk i kemi harruar rrënjët tona dhe Ed është një pjesë kyçe e kësaj, puna që bëjmë në komunitetet tona lokale është çelësi për ne”, deklaroi Ashton.