Robert Lewandowski foli për shumë tema gjatë një interviste në podcast-in e Rio Ferdinand, njëra prej të cilave lidhej me krahasimin e tij me dy legjendat që kanë dominuar futbollin për më shumë se 20 vite:
“U përpoqa të bëj një krahasim me Messin dhe Ronaldon gjatë karrierës sime. Me siguri i kam përdorur si frymëzim, por jo vetëm për t’u frymëzuar, edhe për të sfiduar veten. Jam shumë i lumtur që disa vite isha pas tyre, ose që arrita t’i mposht, siç ndodhi me çmimin e lojtarit më të mirë të botës dy vite radhazi kundër tyre. Nuk kisha ëndërruar kurrë të isha si Messi dhe Ronaldo, duke fituar çmimin e FIFA-s për lojtarin më të mirë të botës. Ishte një ndjenjë e pabesueshme ta fitoja dy herë atë çmim përballë tyre”.
Lewandowski foli gjithashtu për periudhën e tij te Bayern Munich me trajner Guardiolën: “Fillimi ishte i vështirë, sepse në atë kohë ai ishte shumë i fokusuar vetëm te aspektet taktike të futbollit. Si njeri ishte e vështirë për të, sepse e dinte që ishte kaq i shkëlqyer me taktikën, saqë lojtarët duhej ta ndiqnin. Më vonë pashë që filloi të ndryshonte personalitetin ose, më saktë, të bëhej më njerëzor, më i hapur. Në aspektin e lojës, ai nuk më kërkoi kurrë asgjë. Më tha vetëm: Lewa, nuk mund të të ndihmoj, sepse je më i mirë se unë, por mund të të ndihmoj që topi të të vijë ty”.
Në fund, polaku foli edhe për Lamine Yamal: “Stërvitja e tij e parë ishte… uaaa! Si është e mundur që në këtë moshë të jetë kaq… Unë gjithmonë përpiqem t’i jap disa këshilla. Nga njëra anë është e pabesueshme ajo që ka bërë, por nga ana tjetër duhet të mendojë që për të do të jetë një sfidë e madhe të qëndrojë në këtë nivel, ose ndoshta të bëjë hapin e radhës. Nuk bëhet fjalë për 2-3 vitet e ardhshme, por për 10 vitet e ardhshme, kur do t’i duhet të mendojë çfarë të bëjë për të qenë në majë në moshën 28-29-30 vjeç ose edhe më shumë. Mendoj se kjo është sfida më e madhe e karrierës së tij”.