Sipas Sport, Barcelona do të duhet të shpenzojë një shumë të madhe nëse do të dojë të sigurojë Jonathan David nga Lille verën e ardhshme.
Katalanasit janë në kërkim të pasardhësit të Robert Lewandowski-t. Polaku po kalon një sezon shumë të mirë me 19 gola të shënuar në 17 ndeshje të luajtura deri tani, por gushtin e ardhshëm ai do të jetë 37 vjeç.
Zëvendësuesi ideal për Barçën do të ishte sulmuesi i Sporting-ut Viktor Gyokeres, i cili ka shënuar 24 gola në 19 ndeshje në këtë sezon.
Megjithatë, suedezi pritet të ketë një kosto shumë të lartë dhe prania e Ruben Amorim te Manchester United i bën Djajtë e Kuq favoritë për ta marrë atë.
Për këtë arsye katalanasit kanë identifikuar David si alternativë të Gyokeres. Kanadezi ka hyrë në vitin e tij të fundit të kontratës me Lille dhe nuk ka nënshkruar rinovimin akoma.
Me 13 gola të shënuar në 19 ndeshje, 24-vjeçari është mes sulmuesve më të kërkuar në Europë.
Megjithatë, David duket se po kërkon një kontratë 4-vjeçare me një bonus të majmë nënshkrimi dhe komisione të larta për menaxherët. I gjithë operacioni mund të ketë një kosto prej 80 milion eurosh, që është një shumë e lartë për financat e Barçës.