Alessandro Del Piero mund të jetë gati të hyjë në garë për të marrë drejtimin e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC). Më 3 shkurt, FIGC do të zgjedhë presidentin e saj të ri. Edhe pse Gabriele Gravina pritet të kërkojë një mandat të tretë, emri i ish-kapitenit legjendar të Juventusit ka dalë në skenë si një sfidues potencial. Aktualisht nuk ka ndonjë njoftim zyrtar, por sipas raportimeve, vendimi për kandidim mund të merret në ditët e ardhshme.
Sipas gazetës “La Repubblica”, Del Piero është kontaktuar për të vlerësuar gatishmërinë e tij për këtë rol dhe nuk e ka mohuar mundësinë për ta pranuar sfidën. Megjithatë, mbetet për t’u parë se kush do ta mbështesë kandidaturën e tij. Një gjë është e sigurt: një ish-lojtar i kalibrit të tij, kampion bote me Italinë më 2006, do të kishte kredibilitetin dhe imazhin për të përfaqësuar futbollin italian edhe në nivel ndërkombëtar.
Përkrahja e tij mund të vijë nga disa fronte, si Shoqata e Futbollistëve (“Assocalciatori”), trajnerët, si dhe një pjesë e Ligës së Serie A, e cila ka pasur konflikte të përsëritura me Gravina. Një prej mbështetësve kryesorë të Del Pieros mund të jetë Claudio Lotito, kundërshtar i hapur i presidentit aktual të FIGC.
Nëse Del Piero vendos të hyjë në këtë garë, kjo do të shënonte rikthimin e tij në organizimin e futbollit, pas një pauze të gjatë që nga “pensionimi” si futbollist, më 2014. Megjithëse është përfolur për një rol në drejtimin e Juventusit, pas epokës së Andrea Agnelli, kjo mund të jetë mundësia e tij për të luajtur një rol kyç në të ardhmen e futbollit italian.