Milani në Champions, kundër një skuadre si e Serie C. Fonseca paralajmëron dhe bën rotacion

26 Nëntor 2024
8:15
Alfred Lleshi
back button

Në Bratislavë, Milani mund dhe duhet vetëm të fitojë. Nuk ka rrugë tjetër. Por kësaj here nuk është një ndeshje vendimtare, përkundrazi. Me fitoren në Madrid, situata për kuqezinjtë është shumë e favorshme, aq sa mund të synohet kualifikimi direkt për në fazën e 1/8-ave të Champions League.

Për ta arritur këtë, të besuaerit e trajnerit Fonseca duhet të fitojnë katër ndeshjet e mbetura, të cilat duken të përballueshme. Duke filluar që sot, natyrisht. Fonseca nuk pret që skuadra e tij ta nënvlerësojë Slovan, edhe pse në këtë nivel gare, sllovakët shihen si një skuadër e krahasueshme me ekipet e Serie C në Itali:

“Kemi folur, – tha trajneri i kuqezinjve në konferencë, – për rëndësinë e fitores. Duhet të kemi parasysh se luajmë kundër një skuadre me karakteristika krejtësisht të ndryshme dhe se sa e rëndësishme është për ne të kemi qëndrimin e duhur për të fituar. Nuk mund ta nënvlerësojmë këtë skuadër”.

Lidhur me formacionin e mundshëm të Milanit, francezi Maignan do të jetë në portë. Calabria do të rikthehet titullar (Emerson Royal nuk është në formë për shkak të një problemi të vogël në kyçin e këmbës). Në qendër të mbrojtjes, Tomori do të formojë dyshen me Gabbia, ndërsa në të majtë do të jetë “i zakonshmi” Theo Hernandez.

Pa ndryshime në mesfushë, me Fofana dhe Reijnders tashmë të pazëvendësueshëm, ndërsa në sulm, për shkak të pezullimit të Morata, do të jetë Abraham, që do të udhëheqë repartin e përparmë të Milanit.

Pas anglezit, hapësirë për një treshe shumë sulmuese, duke qenë se kjo është një ndeshje që Milani duhet ta fitojë me çdo kusht. Megjithatë, mbetet një dyshim në krahun e majtë, me Okafor që pritet të luajë nga minuta e parë dhe Leao në stol. Me zviceranin në fushë do të jenë Chukwueze në të djathtë dhe Pulisic në qendër.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit