Fonseca “driblon” kritikat: Nëse barazojmë ne me Juventusin, duket sikur është tragjedi

26 Nëntor 2024
8:28
Alfred Lleshi
back button

Milani ka mbërritur dje në Bratislavë. Sonte, prej orës 18:45, kuqezinjtë do të përballen me skuadrën vendase të Slovan, e fundit në renditjen e Champions League me zero pikë, në kuadër të xhiros së pestë të kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube.

Nga “Tehelné Pole”, stadiumi ku do të zhvillohet ndeshja, trajneri i kuqezinjve, Paulo Fonseca, ka folur në konferencën për shtyp. Pyetja e parë ishte disi provokuese për të: Milani po na tregon që edhe një mbrëmje gala, si ajo kundër Juventusit, mund të shkojë më pak mirë. A e keni kuptuar se cili është Milani i vërtetë në këtë moment të sezonit?

Ja përgjigja e portugezit: “Ajo që di tani është se kundër skuadrave të mëdha kemi bërë mirë, ndërsa kundër skuadrave më të vogla kemi bërë më pak mirë. Po punojmë për të qenë një skuadër me qëndrimin dhe ambiciet që kemi treguar kundër ekipeve të mëdha. Synimi është të jemi gjithmonë e njëjta skuadër”.

Kuqezinjtë synojnë kualifikimin, duke i rritur shanset në këtë drejtim qysh nga përballja e sotme ndaj Slovan Bratislava: “Pres një ndeshje të vështirë, por synojmë vetëm fitoren. E dimë rëndësinë e këtij dueli, të cilin duhet ta përballojmë me qasjen e duhur. Do të ketë disa rotacione në formacion, por ne do të jemi skuadër sulmuese, me dëshirë për të fituar.

Vështirësitë e Milanit kundër ekipeve më të dobëta? Shpresoj që kjo të mos ndodhë në Bratislavë, sepse e kuptojmë sa e rëndësishme është të fitojmë. Nuk i kushtojmë vëmendje çfarë ka bërë Slovan, por fokusohemi tek ajo që duhet të bëjmë ne.

Rotacionet? Nuk e di ende nëse do të pushojë Leao. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe në formë të mirë. Megjithatë, kam besim te të gjithë lojtarët e mi. Ne mund të fitojmë dhe kjo është ajo që duam.

Atmosfera, pas barazimit zhgënjyes ndaj Juventusit? Një gjë është ajo që ndjejnë tifozët dhe një tjetër është ajo që mendojmë ne. Për ne është më e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për çfarë kemi bërë mirë dhe atë që mund ta përmirësojmë. Problemi është se perceptimi për Milanin është gjithmonë ndryshe. Nëse barazojmë ne me Juventusin, duket sikur është tragjedi. Sidoqoftë, skuadra është mirë dhe ka punuar fort.

Ambicia në Champions? Ky kompeticion, gjithmonë të jep një motivim të veçantë. Pres që lojtarët ta shfrytëzojnë këtë motivim dhe të japin më të mirën. Duhet ta kemi zjarrin brenda vetes në Ligën e Kampionëve”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit