Në margjinat e çmimit “Beppe Viola”, Bergomi foli edhe për mundësinë që Alessandro Del Piero të kandidojë për president të FIGC-së: “Alex e njoh mirë, sepse punojmë bashkë në ‘Sky’. E di si e sheh futbollin dhe sa i përgatitur është. Ka dëshirë të bëjë mirë dhe, po të ndodhte, do të ishte një zgjedhje e shkëlqyer. Në moshën 50-vjeçare është gati për një sfidë të tillë”.
Në skenën e sallës së CONI, gjatë edicionit të 41-të të çmimit për kulturë sportive “Beppe Viola”, ish-kampioni i botës Beppe Bergomi ndau mendimet e tij: “Ia ka vlejtur që të jem këtu. Ky çmim ka kaq shumë vite që jepet dhe ka një kuptim të madh. Jam krenar dhe i lumtur që po e marr këtë çmim. Dua të mendoj se ky nderim lidhet edhe me punën që bëj me të rinjtë dhe në aktivitete sociale. Kam dëgjuar fjalime të drejta këtu, por ne duhet të përcjellim përulësinë te të rinjtë e sotëm. Pisilli dhe Zaccagni janë shembull i kësaj”.
Bergomi foli gjithashtu për karrierën e tij dhe përvojat në katër Kupat e Botës: “Zemra ime mbetet te Kupa e Botës 1982, ku në moshën 18-vjeçare u shpalla kampion i botës. Kishim një udhëheqës si Enzo Bearzot, i cili për mua ishte si një baba i dytë. Botërori 1990 është ende një plagë e hapur për mua, ajo gjysmëfinale ndaj Argjentinës dhe eliminimi më lëndojnë edhe sot. Sidoqoftë, u riktheva në “Francë 1998” pas pesë vitesh mungesë në kombëtare, dhe ajo ishte një hakmarrje personale”.
Bergomi analizoi situatën aktuale të kampionatit italian: “Skuadrat që luajnë në Kupat e Europës duhet të qëndrojnë afër kreut deri në shkurt. Disa mendojnë se është më mirë të luash në Europë, por për Conten, në vitin e parë të tij, është mirë që nuk ka angazhime të tilla ekstra. Napoli është shumë i fortë, me cilësi dhe fizikalitet të madh. Kampionati është i hapur dhe ekipet e tjera duhet të qëndrojnë pranë. Interi është një ekip i fortë, me përvojë dhe lojtarë të rëndësishëm në çdo rol”.