Ish-futbollisti Antonio Cassano ka kritikuar ashpër Rafael Leão dhe Theo Hernandez pas barazimit pa gola të Milanit ndaj Juventusit. Në një intervistë të fundit, ai i ka përshkruar dy lojtarët si “një problem” për skuadrën kuqezi dhe ka vënë në pikëpyetje zgjedhjet taktike të trajnerit Paulo Fonseca.
Cassano tha se Leão nuk po kontribuon ashtu siç pritej: “Nuk di të sulmojë hapësirat, nuk luan me shpinë nga porta dhe nuk është efektiv as si sulmues i dytë. Për mua është i pavlerë, nuk më pëlqen. Bën dy ndeshje të mira, pastaj zhduket për 15 të tjera”.
Sa i përket Theo Hernandez, ish-sulmuesi barez theksoi se performanca e tij është nën pritshmëritë: “Për mua, Theo dhe Leão janë një problem për këtë Milan. Nuk e kuptoj; nëse trajneri flet për titull, e bën sepse e beson vërtet apo thjesht rrit presionin mbi lojtarët…”
Këto komente vijnë në një moment kritik për Milanin, me tifozët që shfaqin pakënaqësi për mungesën e stabilitetit dhe rezultateve bindëse nga skuadra. Barazimi 0-0 mes Milanit dhe Juventusit, aq më tepër mënyra se si u zhvillua loja, la gjurmë.
Fishkëllimat e tifozëve në “San Siro” krijuan sfondin e një ndeshjeje zhgënjyese për sa i përket intensitetit, lojës dhe interpretimit taktik. Në pamjet janë Fonseca dhe Leao të cilët edhe pse me thekse të ndryshme, janë vënë në pah gjatë episodit të “Viva el Futbol”.
Daniele ‘Lele’ Adani nis duke kritikuar zgjedhjen e trajnerit për të sakrifikuar skuadrën dhe lehtësuar detyrat e anësorit portugez në fushë. Mbi të gjitha kritikoi kthimin pas të trajnerit, që deri më tani kishte ecur përpara me qëndrueshmërinë në zgjedhjet e tij:
“Deri më tani. Fonseca kishte vazhduar rrugën e tij drejt, përpara. Disa herë e kishte theksuar se ‘unë vdes me idetë e mia’. Në vend të kësaj, të shtunën e kaluar pashë diçka tjetër. Tani nuk e kuptoj se çfarë identiteti ka dhe ku dëshiron të shkojë. Kështu qëndroni në tokën e askujt dhe në fund të kampionatit largoheni pa gjetur një mënyrë për ta ndihmuar Leaon”.
Identiteti, fjala që Fonseca kontestoi në konferencën për shtyp para Champions League, duke pretenduar se është një këndvështrim i gabuar në vlerësimin e ekipit të tij. Antonio Cassano dëgjon, nga fytyra e tij tashmë mund të kuptoni se cilat janë mendimet që ka për këtë ndeshje:
“Milan-Juve ishte një ndeshje m*ti, mjaft e keqe për t’u parë. Ajo ndeshje shihej në të gjithë botën dhe për mendimin tim, njerëzit pyetën veten: a është ky kampionati italian? Me siguri, e kanë ndryshuar edhe kanalin televiziv gjatë lojës”.