Momente paniku për Nicklas Bendtner, ish-sulmues i Arsenalit dhe Juventusit, ndërsa po ecte nëpër rrugët e New York-ut. Ish-lojtari danez dhe disa miq të tij u sulmuan nga një burrë i armatosur me thikë.
Ngjarja ka ndodhur javën e kaluar dhe kamerat e sigurisë kanë regjistruar gjithçka. Sipas “The Sun”, në pamjet e mbikëqyrjes duket Bendtner duke ecur me disa miq, kur njëri prej tyre sulmohet. “Viktima” është një burrë 55-vjeçar, i cili ka marrë lëndime në fytyrë dhe veshë.
Policia ndërhyri menjëherë dhe arrestoi sulmuesin, një 25-vjeçar të quajtur Joshua Zinberg. Ai akuzohet për tentativë vrasjeje dhe sulm, ka precedentë penalë dhe vuan nga probleme të shëndetit mendor. Bendtner ka dhënë një koment të shkurtër për “Ekstra Bladet”: “Mund ta konfirmoj që jam unë në video”.