Pas fitores së ngushtë ndaj PSG në Ligën e Kampionëve, Vincent Kompany dhe Bayern Munich rikthehen të përqendruar te kampionati, ku sot i pret një përballje e madhe kundër Borussia Dortmundit. “Rezultatet e fundit kanë qenë të mira, – tha trajneri belg në konferencën për shtyp, para ndeshjes.
– I kemi merituar ato fitore, por tashmë janë e shkuara. Dua ta fitojmë ndeshjen e së shtunës dhe të bëjmë paraqitje të mirë. Është ‘Der Klassiker’, për mua është e rëndësishme që këto ndeshje të kenë një magji të veçantë”.
Më pas, Kompany analizoi verdhezinjtë e drejtuar nga Nuri Sahin: “Kur Borussia Dortmundi është në formë, ushtron presion shumë të lartë, por është gjithashtu e rrezikshme në kundërsulm. Ka shumë cilësi në krahë. Kur është në gjendje të mirë, bëhet vërtet shumë e aftë në ndërtimin e lojës”.
Në fund, Kompany komentoi mbi vlerësimet e fundit për Bayernin dhe lojtarët e tij: “Është e rëndësishme të mos i kushtojmë shumë vëmendje asaj që të tjerët thonë për lojtarët tanë. Ajo që ka rëndësi është se si i vlerësojmë ne ata. Besojmë në ta që nga dita e parë. Në këtë moment po tregojnë paraqitje të shkëlqyera. Tani bëhet fjalë për ta mbajtur këtë nivel”.