“Ishte vetëm një fëmijë i brishtë dhe me probleme serioze shëndetësore, kur hipi në një avion që kalonte oqeanin. Nga fushat e vogla të Grandolit në Argjentinë, plot gropa, gurë dhe copa xhami, të fshehura mes pallateve prej betoni, deri në Barcelonë, ku ndodhej një nga klubet më prestigjioze të futbollit në botë; Barça.
E quajtën “pleshti”, “xhuxhi”, e trajtuan jo gjithmonë me respekt. Kishte kaq pak fuqi fizike, sa ngrihej pyetja: A ka kuptim që dikush të harxhojë kohë, mund dhe para për të? Babai i tij, Jorge, besonte se po. Një drejtues i ekipit besonte se po. Deri në atë pikë sa të firmoste një marrëveshje mbi një pecetë letre, në një restorant.
Ishte fillimi i netëve të kaluara duke qarë. Larg nga nëna dhe pjesa tjetër e familjes, që i kishin varur të gjitha shpresat mbi të. Një nisje për një udhëtim që shumë e ndërmarrin, por vetëm pak e çojnë deri në fund. Një sfidë kundër vetes, e cila filloi kur ai bënte qindra xhonglime pa gabuar, me çdo objekt që i binte në dorë. Flinte duke mbajtur të shtrënguar fort një top futbolli.
Leo, pasoje topin!
Por Leo nuk e pasonte. Atij i pëlqente të driblonte njëri pas tjetrit kundërshtarët. Dikur driblonte djemtë e talentuar të Rosarios, në Argjentinë. Më pas dribloi kampionët më të mëdhenj të botës, yjet e Real Madridit, Manchesterit, Juventusit, Milanit dhe Interit.
Sepse fëmija që nuk e pasonte topin shtrëngoi dhëmbët, fshiu lotët dhe ia doli. Pa u shqetësuar nga dëmtimet dhe thyerjet, i fortë pavarësisht zilisë dhe xhelozisë. Fëmija që nuk e pasonte topin ka ngritur në qiell, i pari në botë, 8 “Topa të Artë”. Dhe luftoi pa pushim derisa triumfoi në “Katar 2022”, për t’u futur përfundimisht në histori me kombëtaren argjentinase.
Si lind një legjendë? Duke ndjekur zemrën. Duke mos u dorëzuar kurrë. Kjo është ajo që na mëson historia e Lionel “Leo” Messit. Fëmija që nuk rritej dot, sot është një gjigant, më i madhi i futbollit në histori”
Shkëputur nga libri “Pulce” i Guillem Balague