Juventusi po përgatit përforcime për repartin mbrojtës në prag të sesionit të ardhshëm të merkatos dimërore. Drejtori teknik, Cristiano Giuntoli, ka konfirmuar interesin e klubit për Antonio Silva, mbrojtësin e talentuar të Benfica.
Lojtari në fjalë ka qenë prej kohësh objektiv i Juventusit, që tani përballet me problemet e shkaktuara nga dëmtimet serioze të Cabal dhe Bremer. Klubi bardhezi po synon të shfrytëzojë ndërmjetësimin e Jorge Mendes, agjenti i njohur i Cristiano Ronaldos, i cili përfaqëson edhe Silvën.
Juventusi ka bërë tashmë një tentativë për huazimin e Silvës nga Benfica, por nuk përjashtohet rikthimi në negociata. Ndërkohë, klubi bardhezi po shqyrton edhe alternativa të tjera, si David Hancko i Feyenoord-it, lojtar i preferuar nga trajneri Thiago Motta, për të cilin klubi holandez kërkon rreth 30 milionë euro.
Një tjetër opsion është Milan Skriniar, por paga e tij e lartë dhe karakteristikat që nuk përshtaten plotësisht me kërkesat e Motta-s e bëjnë këtë pistë më të ndërlikuar. Juventusi po monitoron gjithashtu Radu Drăgușin dhe për momentin ka vendosur të mos e shesë Danilon, i cili mund të largohet si lojtar i lirë në fund të sezonit.
Strategjitë e Juventusit për mbrojtjen janë në qendër të vëmendjes, ndërsa klubi kërkon zgjidhje për të përballuar sfidat e sezonit.