Interi kalon nga Zhang tek ‘Oaktree’, vjen njoftimi zyrtar. Nuk do të ketë revolucion në nivelin drejtues

22 Maj 2024
11:55
Alfred Lleshi
back button

“Oaktree” është pronari i ri i Interit. Prej ditësh ndihej në ajër, tashmë ka mbërritur edhe njoftimi zyrtar për ndryshimin e pronësisë së zikaltërve. Pasi i ka skaduar afati shlyerjes së huasë “Suning”, fondi amerikan bëhet pronar i klubit milanez.

Për Interin duket se nuk ka shumë ndryshime, duke qenë se nuk pritet të ketë revolucione. Fondi amerikan, siç raporton “Sky Sport”, në fakt ka besim te drejtuesit aktualë të zikaltërve, të aftë për të ndërmarrë një proces rikuperimi dhe për të ndërtuar një ekip fitues.

Steven Zhang, tashmë ish-president i Interit, i jep lamtumirën klubit milanez pasi fitoi 7 trofe, përkatësisht 2 tituj kampioni, 2 Kupa Italiane, 3 Superkupa Italiane në gjashtë vite presidencë dhe 8 vite pronësi të “Suning”. Për më tepër, në vitin 2023, klubi milanez luajti në finalen e Ligës së Kampionëve, duke humbur ndaj Manchester City.

Ja njoftimi zyrtar për ndryshimin e pronësisë së Interit: “Nga 22 maji 2024, fondet e menaxhuara nga ‘Oaktree Capital Management, LP’ janë pronarë të FC Internazionale Milano. Kjo vjen pas dështimit për të shlyer huanë 3-vjeçare të dhënë nga ‘Oaktree’ për kompanitë e Interit, e cila skadoi më 21 maj 2024 me një bilanc total prej rreth 395 milionë euro”.

Në të njëjtin shënim, të lëshuar nga ‘Oaktree’ mëngjesin e së mërkurës, 22 maj, nënvizohet: “Oaktree është e përkushtuar për arritjen e rezultatit më të mirë, për prosperitetin afatgjatë të Interit, me fokus fillestar në stabilitetin operacional dhe financiar të klubit.

Oaktree ka respekt të madh për historinë e Interit, pasionin e lojtarëve, besnikërinë e tifozëve zikaltër. Gjithashtu kemi një konsideratë të madhe për rolin e rëndësishëm të klubit ndaj qytetit të Milanos, Italisë dhe komunitetit sportiv botëror”.

Asnjë revolucion, siç pritej, në nivel drejtues: “Oaktree synon të punojë ngushtë me ekipin aktual drejtues të Interit, partnerët, ligën dhe organet drejtuese të sportit për të siguruar që klubi të pozicionohet për sukses brenda dhe jashtë fushës, duke u fokusuar në menaxhimin e fortë dhe qeverisjen vizionare të rritjes së qëndrueshme dhe të suksesshme”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit