“Theo Hernandez nuk është lojtar profesionist, si Leao”. Ky ishte mendimi që shprehu gazetari Denis Hakanaj në episodin 60 të podcast Versus pak ditë më parë.
Sipas tij, mbrojtësi francez ka harruar të luajë futboll me vullnet dhe angazhim të plotë, kështu që nuk e sheh të largët ditën kur ai do të shitet nga Milani.
Duket se këto plane ka edhe klubi italian, sepse sipas Calciomercato në Milano po bëjnë gati ta shesin përpara se të jetë vonë.
Kontrata aktuale e francezit skadon në verën e vitit 2026 dhe Milani pritet ta shesë verën e ardhshme, sepse deri tani mbrojtësi ka refuzuar të rinovojë. Calciomercato raporton se Milani kërkon 50 mln euro për kartonin.