Lajm shumë i hidhur për futbollin shqiptar në përgjithësi dhe atë kosovar në veçanti. Futbollisti 22-vjeçar Erjon Morina ka ndërruar jetë, duke e ndërprerë rrugëtimin e jetës dhe karrierës në lule të moshës.
Talenti i skuadrës kosovare të Vushtrisë kishte pësuar arrest kardiak në fushën e lojës, gjatë një seance stërvitore në tetor, ndërsa ndodhej i shtruar në spital, nën kujdesin mjekësor, por nuk ia ka dalë dot, duke kaluar në amëshim.
Morina e kishte nisur karrierën si futbollist te Prishtina, ndërkohë që ka luajtur edhe për skuadra të tjera në Kosovë si Besa e Pejës, Drenica, 2 Korriku, Llapi, Malisheva, Ulpiana.
Lajmin e trishtë të ndarjes së tij nga jeta e ka bërë të ditur babai i tij nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale: “Ylli i babit ike në qiell. Na i thave zemrat, Erjon. Do të jetojmë të ngrysur me kujtimet më të bukura për ty. Do të jesh ylli që do të na ndriçosh gjithmonë”.