Me të apo kundër tij, Fonseca thotë mjaft: Milani im është si një “mal me tërmete”…

12 Dhjetor 2024
13:38
Alfred Lleshi
back button

“Problemi është se Milani im është si një mal me tërmete. Njëherë jemi mirë, herën tjetër nuk i dihet. Është si të hedhësh një monedhë, gjithmonë duhet të presësh për të parë se çfarë ndodh për të kuptuar”. Paulo Fonseca nuk pajtohet, nuk dorëzohet, por ngre zërin.

Jo këtë herë kundër arbitrave, por drejtpërdrejt kundër skuadrës së tij për një qëndrim që, sipas trajnerit kuqezi, është i papranueshëm në një ndeshje kaq të rëndësishme për rrugëtimin europian. Nuk është hera e parë, duhet kujtuar, dhe pikërisht për këtë arsye është e kotë të mohohet se ky Milan ka më shumë se disa probleme që vetë Fonseca, megjithatë, nuk po arrin t’i kufizojë.

Sfida europiane kundër Crvena Zvezdës modeste ishte në disa momente zhgënjyese për qasjen dhe zhvillimin e lojës. Vetëm tri pikët përfundimtare, të arritura jo për merita të veçanta, shmangën një zhgënjim edhe më të madh te tifozët dhe analistët.

Megjithatë, Milani është i zymtë, i trishtuar nga një zhvillim që vetë Fonseca e shpresonte që nga vera e kaluar dhe që tani, pas pesë muajsh punë, është ende iluzion. Pa fitoret ndaj Interit dhe Real Madridit, aq të bujshme sa edhe të papritura, do të flitej me peshë krejt tjetër për sezonin e Milanit, me një skuadër që nuk di të tregojë shpirt, pavarësisht thirrjeve të përzemërta nga stoli.

Por ku qëndron problemi? Trajneri kuqezi e ka bërë të qartë se dëshiron të flasë për këtë në dhomat e zhveshjes, por ndjesia është se problemi nuk qëndron aq në identifikimin e difektit, sa në komunikimin e tij.

Mesazhi që transmetohet nga stafi teknik nuk pritet në mënyrë të qartë, të saktë, të efektshme nga pjesa më e madhe e grupit dhe, pavarësisht vullnetit të mirë të disa liderëve teknikë, përqendrimi në punën që duhet bërë gjatë javës dhe në ndeshje nuk sjell rezultatet e duhura. Qasja e skuadrës në “San Siro” kundër Crvena Zvezdës ishte e papranueshme dhe këtë Fonseca e di mirë.

Milani në këtë moment është shumë larg nga mundësia për t’u quajtur ekip solid dhe i bashkuar. Ndjesia, përkundrazi, është se një pjesë e madhe e skuadrës po jeton nga dita në ditë, duke pritur ndonjë shkëndijë drite ose lojë të madhe. Një klimë mediokriteti e papranueshme për trajnerin e tyre që, pavarësisht fajësimeve të tij, ka kërkuar dhe nuk ka marrë prej javësh përgjigje të ndryshme nga lojtarë që përfaqësojnë ekipin.

Megjithatë, që nga fillimi i vitit, Fonseca ka pasur përballje me çështje të ndjeshme, që shpesh i ka zgjidhur vetë, në mënyrën e tij. Edhe sot vazhdon t’i përballojë ato, çka tregon se problemi është më i thellë dhe kërkohet një reflektim kolektiv për të gjetur rrugëdalje.

Pse dhe si, mbetet në dorë të vetë trajnerit të përpiqet t’i gjejë ato, nëse jo edhe të klubit, nëse pika e thyerjes rezulton të jetë më e thellë nga sa dyshohet. Tani që guri i madh është hedhur, kthimi pas është i pamundur dhe një zgjidhje e mesme, pra mediokriteti fizik, teknik dhe sidomos mendor, nuk është më një opsion.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit