Fonseca sfidon kritikët: Luajtëm një ndeshje të mirë, na mungoi vetëm goli

16 Dhjetor 2024
8:24
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, vazhdon të jetë një figurë komplekse. Pas barazimit 0-0 kundër Genoa në “San Siro”, ai surprizoi duke shprehur kënaqësi me performancën e skuadrës së tij, pavarësisht presionit të tifozëve dhe mungesës së fitores, që do të ndihmonte në rikuperimin e duhur në kampionat.

“Ndeshja ishte e mirë, – deklaroi Fonseca pas përfundimit të takimit. – Krijuam shumë dhe skuadra tregoi dëshirë për të fituar. Na mungoi vetëm goli dhe pak më shumë cilësi në zgjedhjet përfundimtare. Kemi qenë agresivë, kemi rikuperuar shumë topa lart dhe bëmë 22 goditje drejt portës. Duhej vetëm ta dërgonim topin në rrjetë”.

I pyetur mbi mungesën e vendosmërisë dhe ashpërsisë në fazën sulmuese, ai u përgjigj: “Jo, nuk mendoj se ishte çështje mungese besimi apo agresiviteti. Skuadra tregoi dëshirë për të fituar, ishim agresivë pa top dhe arritëm shpesh pranë zonës së Genoa. Problemi ishte cilësia e pasimeve, krosimeve dhe finalizimeve”.

A mungon një golashënues i vërtetë? Fonseca mbrojti sulmuesit e tij, duke theksuar: “Kemi sulmues të mirë. Abraham kishte një dëmtim dhe nuk mundi të luante në pjesën e dytë. Morata nuk u stërvit gjatë javës. Nuk është vetëm çështje sulmuesish, na mungoi cilësia në krosime, gjuajtje dhe asistime”.

Sa i përket protestës së tifozëve në “San Siro”, trajneri ishte i kuptueshëm: “Është normale që tifozët të jenë të pakënaqur, donim të fitonim për ta. E di që tifozët kanë qenë gjithmonë pranë skuadrës dhe sonte ekipi dha gjithçka për të fituar. Jam i pakënaqur me rezultatin, ashtu si ata, por vetëm me këtë, sepse performanca ishte pozitive”.

Shterpësi për 125-vjetor, Milani ngec kundër Genoas me tentativat e dështuara të Moratës

Lajme të tjera

Lajmet e fundit