Ka marrë vetëm 5 pikë nga 18 të mundshme, Sorg: Duhet të mësohemi të luajmë çdo tri ditë

16 Dhjetor 2024
8:42
Alfred Lleshi
back button

Marcus Sorg, zëvendësi i Hansi Flick, mori drejtimin e ndeshjes kundër Leganés nga stoli, pasi trajneri ishte i dënuar dhe po e ndiqte ndeshjen nga tribuna. Gjermani analizoi humbjen e ekipit të tij në një natë që e cilësoi si “të vështirë për t’u pranuar”, por u shpreh “i bindur se do ta përmirësojmë performancën”.

“Është e vështirë për t’u kuptuar, – tha ai pas ndeshjes. – Nuk patëm përqendrimin e nevojshëm, atë që treguam në Dortmund, sidomos në minutat e para. Ishte e vështirë të luanim kundër mbrojtjes së Leganés, e cila aplikoi 5-4-1. Megjithëse nuk ishte një ndeshje e mirë, ekipi bëri gjithçka për të shënuar. U përpoqëm të thyhnim linjat e kundërshtarit, krijuam shumë raste, rreth 20, prej të cilave pesë apo gjashtë ishin më të qarta, por nuk i konkretizuam”.

Ndihmësi i Flick u mundua të shihte përtej ndeshjes së mbrëmshme, të humbur 1-0 në shtëpi: “Ndjesitë janë ende të freskëta dhe tani duhet të qetësojmë mendjen e të bëjmë një analizë të gjithanshme, si lojtarët, ashtu edhe stafi. Është e qartë që nuk jemi të kënaqur, duhet ta ndryshojmë këtë tendencë në La Liga. Nganjëherë duhet t’i pranojmë gjërat, sepse në një proces punë si ky ka gjithmonë ulje-ngritje. Tani po ndërtojmë një ekip”.

Ai identifikoi si një nga problemet kryesore faktin që “lojtarët duhet të mësohen të luajnë çdo tri ose katër ditë, gjithmonë me performancën maksimale”, diçka që Flick e ka përmendur më parë në lidhje me intensitetin e kalendarit për lojtarët më të rinj. “Duhet të mësojmë dhe po punojmë për këtë, – shtoi ai. – Është e qartë që, nëse i shohim rezultatet, mund të vërejmë një ndryshim mes Barcelonës së fillim-sezonit dhe mënyrës si po luan ekipi tani”.

Duke iu referuar këtyre ndeshjeve të fundit në La Liga, ku janë arritur vetëm 5 pikë nga 18 të mundshme, ndihmësi i Flick shtoi: “Duhet të jemi të rregullt. Po, është e vërtetë që, nëse ekipet e tjera (Real Madrid dhe Atlético Madrid) i fitojnë ndeshjet e tyre, do ta humbim kryesimin. Por do të vazhdojmë të jemi aty lart dhe do të luftojmë për të qenë në majë.

Gjëja më e rëndësishme, megjithatë, është se nuk kemi humbur besimin te lojtarët. Besojmë tek ata dhe jam plotësisht i bindur që ekipi do ta përmirësojë performancën. Na mbetet edhe një ndeshje këtë vit dhe duhet të japim gjithçka në fushë. Më pas do të vijë një pushim, për të cilin ekipi ka nevojë. Pastaj do ta rifillojmë punën për ta nisur vitin e ri me rezultate më të mira”.

Gjithashtu, ai theksoi se kundër Atlético Madridit do të japin gjithçka: “Nëse kemi mësuar diçka gjatë muajit të fundit, është se një rezultat nuk ka lidhje me atë që mund të ndodhë në ndeshjen pasuese. Të shtunën do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të marrë tri pikët”.

Në lidhje me ndryshimet në sulm, ai shpjegoi se synonte “këmbë të freskëta” dhe “ndryshimin e strukturës së ekipit, duke futur dy sulmues për të krijuar një dinamikë tjetër”. Ndërsa për Lamine Yamal, zëvendësimi ishte i detyruar: “Na tha se kishte probleme me kyçin e këmbës; më pas e pyetëm përsëri dhe na tha që ishte mirë. Pastaj i thamë që nëse nuk mund të vazhdonte, do ta zëvendësonim. Dhe e zëvendësuam. Nuk e di si është, duhet të presim dhe ta shohim”.

I pyetur nëse mungesa e “Grada d’Animació” kishte ndikuar në atmosferën në Montjuïc dhe, për pasojë, në performancën e ekipit në ndeshjet e fundit në shtëpi, Sorg tha: “Po, veçanërisht në ditë si kjo, kur gjendemi në disavantazh. Na kushton shumë të shënojmë dhe dëshirojmë ta bëjmë këtë, ekipi ka nevojë për mbështetjen e tifozëve”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit