Protesta e “Curva Sud” e Milanit vazhdon edhe jashtë stadiumit, pas fishkëllimave dhe koreve në përfundim të barazimit ndaj Genoa. “Klubi i Milanit: ju kemi pritur dhe mbështetur pa kushte, por mediokritetin tuaj nuk e durojmë më”, – shkruhej në banderolën e vendosur jashtë “San Siro”, në ditën e festës së 125-vjetorit të kuqezinjve.
“Lumë” fishkëllimash dhe protestë e fortë ndaj pronësisë dhe drejtuesve të klubit. I tillë ishte epilogu i ndeshjes, pas rezultatit 0-0 në Milan-Genoa në “San Siro”. Koret e ultrasve janë domethënëse, nënkuptojnë kësi mesazhesh të qarta: “Ky klub nuk na meriton”; “Ne nuk jemi amerikanë”; “Na keni shkatërruar nga nervat”.
Ndeshja kundër Genoa, e konsideruar si një mundësi për t’u ngritur pas javëve të vështira, nuk solli reagimin e pritur, pavarësisht pritshmërive të krijuara nga shpërthimi i ashpër i Paulo Fonseca ditët e mëparshme. Trajneri kishte kërkuar më shumë përkushtim dhe ashpërsi nga lojtarët e tij, por skuadra nuk arriti të konkretizonte rastet e krijuara, duke i lënë tifozët të zhgënjyer dhe klubin në shënjestër të kritikave të forta.
Përçarja midis klubit dhe tifozëve duket gjithnjë e më e thellë, mungesa e rezultateve konkrete rrezikon ta përkeqësojë më tej një situatë tashmë të tensionuar. Me një sezon ende të gjatë përpara, Milani duhet të gjejë jo vetëm rrugën drejt fitores, por edhe dialogun me publikun e tij, diçka jetike për ta rregulluar një marrëdhënie gjithnjë e më të brishtë.