Barça duket sikur po jeton mbi një “rollercoaster”. Fillimi i sezonit ngjalli shpresa të mëdha, me një skuadër që shkatërronte kundërshtarët me energji rinore dhe futboll spektakolar. Fitorja ndaj Bayernit dhe Real Madridit në të njëjtën javë ishte një premtim për lavdi.
Pastaj erdhi nëntori famëkeq, i përkufizuar nga Flick si “nëntori i dreqit”, pas dy humbjeve ndaj Real Sociedad dhe Las Palmas dhe një barazimi ndaj Celta. Ajo periudhë e dobët zbuloi të metat e një skuadre të papërvojë, duke sjellë shqetësim te trajneri gjerman.
Dhjetori nisi me shpresë, pas një fitoreje bindëse ndaj Mallorca, por më pas ekipi tregoi sërish dobësi me barazimin 2-2 ndaj Betis. Në Champions, Barça vazhdoi të tregojë fytyrën më të mirë, duke ruajtur një performancë të qëndrueshme dhe mbajtur vendin e dytë në grup.
Në La Liga, ndërkohë, pasiguria mbizotëron. Humbja e fundit ndaj Leganés, një ekipi modest si Las Palmas, theksoi krizën në lojën e katalanasve. Në shtëpi dhe para tifozëve të vet, Barça tregoi një pamje të brishtë, e paaftë për të qenë konsistente kur luan çdo dy ose tri ditë.
Humbja ndaj Leganés evidentoi një të vërtetë të pakëndshme: Barça e Flick mund të humbasë ndaj kujtdo nëse nuk luan në maksimum. Kjo u pranua edhe nga Pedri pas ndeshjes, duke përmendur se skuadra hyri në fushë pa tensionin e nevojshëm. Një gol i realizuar nga Sergio González dhe disa minuta pas tij pritja e rëndësishme e Iñaki Peña treguan problemet e mbrojtjes blaugrana.
Në mungesë të Flick, i pezulluar 2 ndeshje, Marcus Sorg analizoi situatën duke theksuar se rinia (mungesa e eksperiencës) e skuadrës është arsyeja kryesore për mungesën e qëndrueshmërisë.
Në pjesën e dytë, Barça tregoi vështirësi për të përmbysur rezultatin. Lewandowski, Raphinha dhe Dani Olmo humbën raste të arta, duke rritur nervozizmin në ekip. Zëvendësimet e bëra për të ndryshuar dinamikën e lojës rezultuan kundërproduktive, duke çuar në një performancë të çrregullt dhe pa ide të qarta.
Rezultatet e fundit janë alarmante: vetëm 5 pikë nga 18 të mundshme, shpesh kundër skuadrave nga pjesa e poshtme e tabelës së renditjes. Pas “nëntorit të dreqit”, Barça duket se ka nisur një dhjetor të mbushur me pasiguri dhe luhatje të frikshme.
Tani, Flick dhe stafi i tij duhet të gjejnë zgjidhje për ta kthyer skuadrën në rrugën e duhur përpara pushimit dimëror, duke shmangur që kjo krizë të thellohet më tej.