E diela e 15 dhjetorit duhej të ishte një ditë feste për Milanin dhe tifozët e tij, por përfundoi si një moment historik i protestës së madhe. Gjatë ceremonisë, “Curva Sud” shprehu pakënaqësinë me vërshëllima ndaj Zlatan Ibrahimovic dhe Giorgio Furlani, figurat kryesore pas projektit të Milanit të drejtuar nga Fonseca. Pas fishkëllimës së trefishtë të arbitrit Guida, stadiumi shpërtheu në vërshëllima kundër lojtarëve, klubit dhe trajnerit.
“Ky klub nuk na meriton”, – bërtisnin ultrasit, të lodhur nga një skuadër që vazhdon të humbasë pikë dhe që, përpara Krishtlindjes, është tashmë jashtë garës për titullin kampion.
Pas ndeshjes, protestat vazhduan edhe jashtë stadiumit. “Curva Sud” shpalosi një banderolë me mesazh të qartë: “Klubi i Milanit: ju kemi pritur dhe mbështetur deri në fund, por tani i themi mjaft mediokritetit tuaj. Drejtues të paaftë, klub pa ambicie. Nuk jeni në nivelin e historisë sonë”.
Frustrimi i tifozëve u shtua edhe nga prania e legjendave të Milanit si Van Basten, Gullit dhe Rijkaard, të cilët përfaqësojnë epokën e artë të Sacchit dhe Capellos. Kontrasti midis trofeve të së kaluarës dhe performancës aktuale të Milanit wshtw tepër zhgënjyes, edhe për tifozët më optimistë.
Fonseca, me mbështetjen e klubit, la në stol Theo Hernandez dhe Davide Calabria, të cilët nuk u aktivizuan fare gjatë ndeshjes. Sidoqoftw kjo strategji nuk ndryshoi asgjë për një skuadër të parashikueshme, që krijoi raste vetëm në kundërsulme vertikale.
Fofana dhe Reijnders u treguan edhe një herë lojtarë të pazëvendësueshëm, ndërsa shumica e pjesës tjetër të ekipit vazhdon të vuajë mungesën e vazhdimësisë në performancë. Të vetmit që morën duartrokitje nga tifozët ishin të rinjtë. Jimenez u vlerësua si më i miri në fushë, ndërsa Liberali dhe Camarda, megjithëse ende të papjekur, u përshëndetën me dashuri kur u zëvendësuan.
Edhe pse Milani mund t’i kishte marrë tri pikët me më shumë fat (si në rastin e traversës së Moratës), realiteti nuk do të ndryshonte shumë. Përçarja midis klubit dhe tifozëve duket e pakthyeshme. Koret e zemëruara si “Na keni çarë trapin” dhe “Ne nuk jemi amerikanë” e bënë të qartë mosbesimin ndaj pronësisë aktuale dhe drejtuesve. Edhe Ibrahimovic nuk shpëtoi nga kritikat.
Milani vazhdon të jetë në garë në Champions League dhe në Kupën e Italisë, por pa mbështetjen e tifozëve, një përfundim pozitiv i sezonit duket i vështirë për t’u arritur.
125-vjetori i Milanit, që duhej të ishte një moment festiv me nderime për legjenda si Franco Baresi, Marco van Basten dhe Filippo Inzaghi, u kthye në një skenë tensioni midis tifozëve dhe klubit. Gjatë ceremonisë, “Curva Sud” shfaqi një pankartë të ashpër: “Nderojmë kampionët tanë, simbole të një Milani që nuk ekziston më”.
Dyshimi i tifozëve u bë i qartë kur Zlatan Ibrahimovic dhe Giorgio Furlani u shfaqën në ekranin gjigant, duke marrë vërshëllima të njëpasnjëshme. Një protestë që shpërtheu brenda dhe jashtë stadiumit.
Ibrahimovic, që u vendos në qendër të kritikave nga tifozët, u përpoq të shpjegonte situatën duke mbështetur trajnerin portugez pas ndeshjes: “Fonseca po kërkon reagim tw skuadrws, siç duhet të bëjë një trajner. Çfarë tha publikisht, e ka thënë edhe privatisht. Nëse do tw isha lojtar, do tw reagoja, sepse kur trajneri nuk është i kënaqur, duhet të japësh më shumë. Jemi të gjithë dakord me të, skuadra duhet të bëjë më shumë”.
Në lidhje me vendimin për ta lënë Theo Hernandez jashtë formacionit, Zlatan shtoi:
“Kjo është një situatë e ngjashme me atë të Rafael Leaos disa javë më parë. Theo është një nga mbrojtësit e majtë më të mirë në botë dhe do të kthehet në nivelin e tij. Vendimet e trajnerit duhet të respektohen”.
Për sa i përket performancës së lojtarëve të rinj, si Jimenez dhe Liberali, Ibra tregoi besim: “Shanset duhen kapur. Për këta lojtarë të rinj është një mundësi e madhe. Ata stërviten me ekipin e parë pothuajse çdo ditë dhe kur iu jepet mundësia, duhet ta shfrytëzojnë”.
Festimi i 125-vjetorit, që duhej t’i bashkonte tifozët dhe klubin, nxori në pah një ndarje të thellë. Ndonëse Milani ende ka mundësi në Champions League dhe Kupën e Italisë, pa mbështetjen e tifozëve të tij, rruga drejt suksesit duket gjithnjë e më e vështirë.