Mesfushori anglez Dele Alli, pas gati dy vitesh pushim, shpreson të rikthehet të luajë. Këtë fundjavë ai ka qenë në Itali, për të parë një ndeshje të Serie A.
Dele Alli ka qenë në stadiumin “Sinigaglia” për të parë takimin Como-Roma (2-0 për vendasit). Për momentin thuhet se prania e tij ka qenë thjesht një vizitë mirësjelljeje.
Gjithsesi, mesfushori anglez, aktualisht lojtar i lirë, mund të bëhet një objektiv i merkatos së Como në merkaton e janarit. Ndërkohë që, ai mund të stërvitet që tani me ekipin e Fabregas.
28-vjeçari është aktivizuar për herë të fundit me Beshiktash në Turqi, ndërkohë që më herët ka luajur me Tottenham e Everton në Premier League. Me Spurs ai shkëlqeu, por problemet personale e penguan të ketë një karrierë të gjatë.
Gjithsesi, mesfushori me tipare sulmuese mund të rikthehet protagonist dhe Serie A mund të jetë një ambient i përshtatshëm për të. Trajneri Cesk Fabregas mund t’i mbushë mendjen të tregojë aftësitë edhe në një ekip të vogël.