Yamal dëshiron të “pushtojë botën”: Deri 21-vjeç dua të fitoj Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës

16 Dhjetor 2024
12:49
Alfred Lleshi
back button

Lamine Yamal është fituesi i “Golden Boy” 2024. Talenti i ri i Barcelonës ka dhënë një intervistë të gjatë për “Tuttosport”. Këtu janë disa fragmente të saj:

Lamine, cili ka qenë personi i parë që të ka thënë se ke fituar ‘Golden Boy’ 2024? Dhe me kë e ke ndarë menjëherë lajmin?
Po, isha në ‘Ciutat Esportiva Joan Gamper’, ku stërvitemi. Nga zyra e shtypit të Barcelonës më e njoftuan para drekës. Ishte një lumturi e madhe, por ndoshta nuk mund ta quaj surprizë të plotë, sepse mediat kishin shkruar prej kohësh që isha i favoriti i madh, edhe pse nuk kishte ardhur ende zyrtarizimi. Personi i parë që ja thashë lajmin ishte mamaja ime, Sheila.

Duke parë listën e fituesve të këtij çmimi, ka disa emra të jashtëzakonshëm. Si ndihesh në moshën 17-vjeçare, duke qenë krahas yjeve të mëdhenj që e kanë fituar më parë këtë çmim?
Është lumturi e madhe, një nder. Është hapi i parë i një karriere të madhe, që shpresoj ta kem të tillë, edhe pse e di shumë mirë se çmimet individuale janë pasojë e atyre kolektive. Kësisoj, dua të vazhdoj të bëj mirë me Barcelonën dhe Spanjën, që të mund të fitoj edhe trofe të tjerë, si për skuadrën ashtu edhe për vete. Fitimi i ‘Golden Boy’ është një pikë shumë e mirë nisjeje për një lojtar të ri. Të gjithë lojtarët e rinj në botë ëndërrojnë ta fitojnë atë.

Rregullorja thotë se ‘Golden Boy’ mund të fitohet vetëm një herë në jetë. Cilat do të jenë objektivat tuaja individuale për të ardhmen?
Po të fitoj me Barcelonën, sidomos Ligën e Kampionëve, do të kem më shumë mundësi për të synuar çmimin individual që e kurorëzon karrierën e një lojtari, ‘Topin e Artë’. Asnjë lojtar nuk fiton dot çmime individuale nëse nuk arrin të fitojë asgjë kolektivisht me ekipin e tij. Pra, duke fituar në nivel kolektiv do të jem më afër çmimeve individuale, sepse një gjë është pasojë e tjetrës.

Duke menduar për rekordet që ke thyer dhe titujt që ke fituar tashmë, si e sheh karrierën tënde profesionale kur të kesh 20, 22, 25, 27 vjeç?
Para se të arrij 21 vjeç, qëllimi im është të fitoj Kupën e Botës me Spanjën, Ligën e Kampionëve dhe dy tituj të tjerë me Barcelonën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit