“Ndoshta ndeshja nga e cila ishte më e vështirë të rikuperonim ishte finalja e Champions-it, e humbur më 2012 kundër Chelsea. Luanim në shtëpi dhe i zhgënjyem tifozët tanë. Sot mund të duket absurde, por nuk mund ta imagjinoja që më vonë do ta fitoja atë trofe gjashtë herë”. Kështu, Toni Kroos, gjatë intervistës së tij për “Tuttosport”, foli për zhgënjimin më të madh të karrierës.
Dy prej këtyre trofeve i keni fituar me Ancelottin në stol…
Ishte ai që më mori në Madrid, më kërkoi me ngulm në vitin 2014, pas Kupës së Botës. Atje sapo kishin fituar Champions League dhe më telefonoi duke më thënë se më donte për ta çuar skuadrën në një nivel më të lartë. Për mua, kalimi nga Bayerni te Reali nuk ishte një hap i vogël. Ancelotti ma bëri shumë më të lehtë, më motivoi. Marrëdhënia jonë ka qenë gjithmonë e veçantë. Më pëlqen ideja që historia ime te Reali filloi dhe përfundoi me atë në stol.
Kur u rikthye më 2021 si trajner i Real Madridit, si e përjetuat? Kishte nga ata që e konsideronin të përfunduar pas eksperiencave me Napolin dhe Evertonin…
Për të qenë i sinqertë, nuk e prisnim aspak. Për ne ishte një lajm i madh, edhe sepse në dhomat e zhveshjes shumë, duke filluar nga Carvajal, Marcelo, Modric, Ramos dhe Nacho, pra senatorët, kishin pasur tashmë mundësinë të punonin me të. Kur e njeh dikë, e di tashmë si të sillesh me të. Pastaj, që nga eksperienca e parë në Madrid, ai është një trajner ndryshe, është zhvilluar dhe kjo na ngjalli shumë kuriozitet. Na u desh shumë pak për të kuptuar filozofinë e tij të lojës dhe për të rikuperuar marrëdhënien që ekzistonte më parë.
Në një intervistë të fundit, kur ju pyetën pse kishit vendosur të tërhiqeshit kaq herët nga futbolli, ju thatë se po të ishit një tenist, ndoshta do të kishit vazhduar të garonit për disa vite të tjera. Çfarë keni dashur të thoni?
Tenistët e menaxhojnë veten, mund të zgjedhin si dhe kur të stërviten, ose si të rikuperohen. Është në dorën e tyre të planifikojnë udhëtimet nëpër botë dhe, për më tepër, mund t’i kenë gjithmonë me vete të afërmit. Janë të lirë, pra. Në futboll nuk funksionon kështu. Je pjesë e një skuadre dhe, si i tillë, duhet t’iu bindesh disa rregullave. Është klubi që të tregon oraret dhe vendet ku duhet të paraqitesh. Të thonë si dhe kur të stërvitesh, çfarë të hash. Udhëton dy ose tri herë në javë dhe je i detyruar ta lësh familjen në shtëpi. Le të themi se pas shumë vitesh karrierë, kjo ishte një nga arsyet që më çoi drejt vendimit për t’u tërhequr.
Një javë më parë ishte ndeshja e bukur e Champions-it mes Realit dhe Atalantës. Çfarë mendoni për futbollin italian?
Mendoj se vitet e fundit niveli është ngritur jashtëzakonisht shumë. Kjo shihet sidomos në kompeticionet europiane. Interi ka arritur në finale para dy vitesh, Atalanta fitoi ‘Europa League’ kundër Leverkusenit, kampionëve të saposhpallur të Gjermanisë, Milani mundi Realin në ‘Bernabeu’. Janë disa klube italiane që mund të luftojnë deri në fund të kompeticioneve të ndryshme.