Ancelotti ia vë syrin Kupës Ndërkontinentale, triumfi i sotëm do ta bënte “mbretin” e Real Madridit

18 Dhjetor 2024
9:00
Alfred Lleshi
back button

Në konferencën për shtyp para finales së Kupës Ndërkontinentale kundër Pachuca, trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, shprehu respekt për kundërshtarin meksikan. Italiani vuri në dukje përmirësimet e fundit në performancën e “Los Blancos”, por paralajmëroi se Pachuca, pas fitores me penallti kundër Al-Ahly, përbën një kërcënim serioz, ndaj duhet respektuar maksimalisht.

Sa i përket gjendjes së Kylian Mbappé, trajneri Ancelotti u shpreh optimist për pjesëmarrjen e tij në finale, megjithëse vendimi përfundimtar do të merret duke marrë parasysh shëndetin e lojtarit. Trajneri italian gjithashtu mbështeti sulmuesin Vinícius Jr për çmimin “The Best FIFA Men’s Player”, duke vlerësuar kontributet dhe arritjet e tij në ekip.

Një fitore në këtë finale do ta bënte Ancelottin trajnerin më të suksesshëm në historinë e Real Madridit, duke kaluar Miguel Muñoz me 15 tituj të fituar. Trajneri nga Reggio Emilia u ndal edhe te merkatoja e janarit, duke iu përgjigjur një pyetjeje specifike: “Nuk kemi folur ende për këtë, sepse duam të arrijmë mirë në Krishtlindje dhe më pas të pushojmë. Në janar, pastaj, do të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë në merkato”.

A e keni ndjesinë se e keni humbur pak kontrollin te Real Madridi?
Jo, sigurisht që jo. Në futboll duhet të kalosh momente të vështira; ndonjëherë vijnë në tetor-nëntor, ndonjëherë në prill-maj. E rëndësishme është të jesh aty. Nëse vijnë herët momentet e vështira, ende mund ta shpëtosh sezonin. Sigurisht që do të jemi shumë konkurrues në pjesën e dytë të sezonit, jemi ende gjallë dhe nuk e kam humbur kontrollin.

Si është Mbappé?
Situata e Kylian është e thjeshtë: ai u stërvit dhe pati ndjesi të mira. Do të jetë e rëndësishme të shohim se si ndihet, ai vetë duhet ta vlerësojë gjendjen që ka. Nëse ndihet mirë, do të luajë, nëse ka edhe një rrezik të vogël, nuk do ta bëjë. Ndjesitë e fundit ishin shumë të mira, jemi optimistë.

Cili është pozicioni më i mirë për të në fushë?
Mbappé është një lojtar fantastik, mendoj se nuk ka arritur ende nivelin e tij më të mirë, edhe pse ka luajtur shumë mirë në 2-3 ndeshjet e fundit. Ai mund të luajë në çdo pozicion të repartit ofensiv. Luajti ku e vendosa unë, por me cilësitë që ka mund të luajë ku të dojë.

Finalja e parë, pas 20 vitesh mungesë. Një mijë e një peripecitë e Kupës Interkontinentale

Lajme të tjera

Lajmet e fundit