Lamine Yamal do t’i kalojë festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri duke u rikuperuar nga lëndimi i pësuar në ndeshjen e fundit të kampionatit, ku Barcelona e tij humbi në mënyrë befasuese në shtëpi ndaj Leganes. Sulmuesit të talentuar të lindur më 2007, pas kontrolleve mjekësore, iu diagnostikua dëmtim i shkallës së parë në një ligament të kyçit të këmbës.
Parashikohet që lojtari 17-vjeçar të qëndrojë jashtë fushave për 3-4 javë. Kjo periudhë është e rëndësishme për të rikuperuar formën dhe nisur vitin 2025 në mënyrën më të mirë, kur ndeshjet vendimtare në kampionat dhe Champions League të jenë në qendër të vëmendjes.
Ndërkohë, Yamal ka tërhequr vëmendjen me një gjest të jashtëzakonshëm, që reflekton personalitetin e tij të thellë dhe ndjeshmërinë që e karakterizon. Talenti blaugrana ka vendosur të surprizojë djemtë dhe vajzat e “La Masia” (akademisë së Barcelonës) me një dhuratë speciale: kufje të gjeneratës më të fundit “Beats”. Çdo dhuratë ishte e shoqëruar me një mesazh të shkruar me dorë nga vetë Yamal, ku përfshihej një dedikim i shkurtër: “Në mënyrë që të shijosh muzikën”.
Marka e kufjeve që e sponsorizon kishte ofruar disa modele të “Beats Studio Pro Wireless – Ghiaia” edhe për shokët e tij të ekipit të parë. Megjithatë, vendimi i Yamal, plot ndjeshmëri, ishte i pandryshueshëm: ai vendosi t’i shpërndajë ato te të rinjtë e “La Masia”, gjë që i preku të gjithë në “Oriol Tort Training Center”, selia e akademisë legjendare të Barcelonës. Me këtë gjest, Yamal synoi të shpërblejë talentet e së ardhmes, duke i inkurajuar të ndjekin shembullin e tij.
Çmimi i atij modeli kufjesh është 399.95 euro. Një shumë e konsiderueshme për një të ri, të cilën rrallë kush do ta shpenzonte. Yamal vendosi ta shfrytëzojë dhuratën e sponsorit për t’ua dhuruar atyre djemve dhe vajzave me të cilët luajti disa vite më parë, para se të ngjitej në ekipin e parë dhe të bëhej një nga simbolet e Barcelonës së tashme dhe të ardhme. Ky gjest tregon edhe një herë se kush është Yamal: një kampion në fushë, por mbi të gjitha jashtë saj.