Fabio Capello ka kritikuar Milanin për cilësinë e skuadrës që ka aktualisht trajneri Paulo Fonseca. Sipas ish-trajnerit të mirënjohur, klubi nuk ka bërë blerjet e duhura.
“Para se të pyesim veten nëse merkatoja e verës ishte e saktë, le t’i bëjmë vetes dy pyetje: kush i mori vendimet? Dhe mbi të gjitha, a ishin zgjedhjet në marrëveshje me trajnerin?”
“Për disa ndërhyrje nuk janë bërë vlerësime të menduara në futboll dhe trajneri nuk është dëgjuar. Ariedo Braida, një menaxher me kompetencë të madhe, e dinte se çfarë do të thoshte të luash për Milanin”.
“Ai gjithmonë kishte një batutë: ‘Ok, lojtar i mirë, por a është për Milanin?’ Emerson Royal, për shembull, nuk më duket si një lojtar i Milanit”.
“Mendoj se duhej një mbrojtës i djathtë, por nëse blen një të tillë, duhet të ngrihesh në nivel. Pavlovic? Mund të them të njëjtën gjë. Ai është ende i ri dhe pyes veten nëse ishte një blerje kaq e nevojshme. Pse nuk u mbajt Kalulu?”