Programi “La Revuelta” ka shkaktuar “tërmet” në betejën për audiencë gjatë “prime time”. Televizioni publik po konkurron drejtpërdrejt me “El Hormiguero” të “Antena 3”, lider i padiskutueshëm i këtij segmenti kohor. Spanja duket e ndarë mes këtyre dy programeve dhe kjo reflektohet qartë në shifrat e shikueshmërisë.
Gjatë fillimit të programit, ish-mbrojtësi katalanas Gerard Piqué zbuloi marrëdhënien e tij aktuale me Luis Figo. “Si një tifoz i Barcelonës, po”, – u përgjigj ai ndaj pyetjes së David Broncano nëse e përçmonte yllin portugez.
Megjithatë, Piqué theksoi se personalisht nuk ka ndonjë problem me të dhe kujtoi se së fundi ishin takuar në Abu Dhabi, kur lojtarë të Barçës dhe Real Madridit diskutuan për “El Clásico”-t më historike. “Ishte shumë e ashpër ajo që bëri. Unë isha 13 ose 14 vjeç, e përjetoja me më shumë intensitet, sepse Figo ishte idhulli i një brezi. Fitoi ‘Topin e Artë’ atë vit, tha se do të qëndronte te Barcelona dhe një javë më vonë u shfaq me fanellën e Real Madridit”.
Para përfundimit të programit, Broncano e ftoi Figon që të shfaqej në të njëjtin program me Piquén, “sfidë” që ish-mbrojtësi katalanas e pranoi aty për aty: “Do t’ia them në fytyrë të gjithë dëmin që na ka bërë. Nuk kam asnjë problem me të, por të vërtetat thuhen siç janë. Ai kurrë nuk do ta pranojë, por dëmi që na ka bërë si katalanas do të mbahet mend gjithë jetën. Jam gati të ulem këtu me të, pa asnjë problem”.
Pasi mbyllën këtë temë, biseda vijoi me disa nga ish-shokët e skuadrës dhe figura të futbollit që i janë nënshtruar procesit të implantit të flokëve. Piqué nuk deshi të komentonte shumë, por nuk mundi të përmbante të qeshurën kur përmendi disa nga “rimëkëmbjet” më të spikatura, si ato të Jordi Alba apo Ter Stegen. Ai përmendi edhe Diego Simeone. “Cholo e ka ndryshuar stilin e flokëve, sepse kishte flokë, pastaj i ranë. I vendosi përsëri dhe prapë i ranë”, – komentoi ai mes të qeshurave të publikut.