Barcelona do të përballet sonte me Atlético Madridin, në një moment të dobët sa iu përket rezultateve. Sidoqoftë, një gjë që skuadra e Hansi Flick e ka treguar këtë sezon është se di të rritet kundër rivalëve të mëdhenju. Katalanasit kanë fituar me bindje ndaj dy skuadrave më të fuqishme që kanë përballuar deri tani, Real Madrid dhe Bayern Munich. Për më tepër, ata gjithashtu mposhtën Borussia Dortmundin.
Barcelona shijoi lojën e saj dhe e gozhdoi Bayernin, e udhëhequr nga një Raphinha spektakolar. Skuadra blaugrana po kalon momentin më të vështirë të sezonit. Ajo ka humbur një avantazh të madh pikësh dhe tashmë e sheh të rrezikuar kryesimin e La Liga-s. Gjithsesi, e vërteta është se katalanasit duket se e kanë kuptuar si të përballen me ekipet e mëdha. Në fund të tetorit, ata fituan 4-1 ndaj Bayern Munich në Champions League dhe më pas triumfuan 4-0 në “Santiago Bernabéu” kundër Real Madridit.
Katalanasit po përjetojnë një rënie të rezultateve që nga 11 nëntori, por gjatë kësaj kohe u përballën me Borussia Dortmundin dhe fituan. Ata triumfuan në Gjermani me rezultatin 3-2, duke e vendosur njërën këmbë në 1/8 finale të Champions League.
Barcelona ka humbur pikë këtë sezon kundër kundërshtarëve, në letër, më të lehtë. Të gjitha humbjet dhe barazimet kanë ardhur kundër ekipeve jashtë zonës europiane. Katalanasit u mposhtën nga Leganés, që renditet e 15-ta në La Liga dhe është vetëm tri pikë larg zonës së rënies; nga Las Palmas, që është e 14-ta.
Gjithashtu barazuan në Balaídos kundër Celta, që renditet e 13-ta. Dështimet e tjera erdhën kundër Osasunës, Real Sociedad dhe Betis. Të gjitha këto ekipe janë jashtë gjashtë vendeve të para.
Në Champions League, katalanasit pësuan humbje kundër Monaco në ndeshjen e parë, pas përjashtimit të hershëm me karton të kuq të Eric García. Skuadra nga Principata aktualisht renditet e 16-ta në klasifikimin e Ligës së Kampionëve.