Laporta: Bëmë marrëveshjen më të mirë në historinë e futbollit, Barça rikthehet në skenën elitare botërore

21 Dhjetor 2024
21:37
Alfred Lleshi
back button

Joan Laporta hapi asamblenë e jashtëzakonshme të klubit për miratimin e marrëveshjes së arritur mes drejtuesve të Barcelonës dhe “Nike” disa javë më parë. Presidenti, gjatë fjalimit të tij, iu kërkoi anëtarëve ta miratojnë këtë sponsorizim, të cilin e konsideron historik, duke e quajtur “kontrata më e mirë e veshjeve sportive në historinë e futbollit”.

Një marrëveshje e arritur pas negociatash të vështira. Laporta shprehu kënaqësinë e tij për të: “Ka pasur një humbje të besimit të ndërsjellë dhe marrëdhënia me ‘Nike’ ishte në gjendje gjyqësore. Ishim në një pikë ku ose duhej të vendosnim një kornizë të re, ose të ndaheshim. ‘Nike’ na dëgjoi dhe arritëm në një marrëveshje pas një procesi të gjatë me konflikte maksimale dhe pozicione shumë të largëta. Për këtë arsye, kërkuam një ndërmjetës për të ndihmuar në rikthimin e besimit”.

Presidenti vlerësoi përpjekjet e të gjitha departamenteve të klubit që kontribuan në arritjen e kësaj marrëveshjeje. Ai theksoi se kjo marrëveshje garanton dy gjëra kryesore: Përmirësimi i ekonomisë së klubit, pa ndikuar tek anëtarët, dhe ruajtja e modelit të klubit si një institucion në pronësi të tifozëve.

Laporta theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për të ardhmen financiare të Barcelonës: “Jemi të fortë, të bindur dhe të vendosur për ta përfunduar rimëkëmbjen e klubit në çdo aspekt. Kjo marrëveshje ndihmon shumë në rimëkëmbjen ekonomike dhe e konfirmon atë. Barça është rikthyer në radhët e para të klubeve botërore me këtë marrëveshje”.

Për Laportën, kjo marrëveshje përfaqëson një hap cilësor dhe sasior për Barcelonën, duke garantuar stabilitetin ekonomik dhe forcimin e pozicionit të klubit si një nga liderët botërorë në futboll.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit