“Italia duhet të bëjë përparime në aspektin fizik, Maradona ishte më i mirë se Pelè”

23 Dhjetor 2024
8:01
Alfred Lleshi
back button

“Kam thirrur shumë mesfushorë, sepse një lojtar i këtij reparti ka natyrën për të ndërtuar një ekip të fortë, është gjithmonë në sinkron me gjithçka që e rrethon, gjithmonë i gatshëm të ndihmojë këdo, sepse është në zemër të lojës. Gjermania është një ekip i fortë dhe i ashpër, por ne duam t’i luajmë këto ndeshje dhe t’i fitojmë ato”. Kështu u shpreh trajneri i kombëtares italiane, Luciano Spalletti, gjatë një interviste në programin “Domenica Sportiva”, ku pranoi se preferon Maradonën para Pelè, ndërsa për Messin dhe Cristiano Ronaldon nuk u shpreh, por theksoi se argjentinasi “është më i vështirë për t’u markuar”.

Trajneri axurr foli gjithashtu për Federico Chiesa, të cilin e konsideron pjesë të rëndësishme të kombëtares së tij, edhe pse te Liverpool-i shpesh ka qëndruar në stol. “Ai i tejkalon pengesat vetë, – tha Spalletti. – Krijon situata avantazhi për ekipin, të vështron në sy, kalon përtej limiteve dhe krijon mundësi i vetëm. Megjithatë, është e qartë se duhet të fillojë të luajë me më shumë vazhdimësi. A do të ishte më mirë të qëndronte në Itali? Nuk e di, por ndoshta tani do të ketë përvoja që do t’i shërbejnë për t’u rritur më tej”.

Sa i përket deklaratës së trajnerit të Liverpool-it, Arne Slot, sipas të cilit Chiesa ende nuk ka intensitetin e nevojshëm për të luajtur në Premier League, Spalletti tha: “Sipas mendimit tim, ai mund të ndihmojë çdo ekip, në çdo kampionat, por nga pikëpamja e ndikimit fizik ne si italianë duhet të bëjmë përparime. Edhe me Francën patëm disa vështirësi me fuqinë dhe intensitetin e tyre. Në këtë aspekt, duhet të përmirësohemi”.

Duke folur për periudhën pas Europianit dhe eliminimin e dhimbshëm ndaj Zvicrës, Spalletti tha: “Pas golit të pësuar në Paris (ku më pas Italia fitoi), mendova se nuk i kishim lënë pas ato gjëra që na kishin bërë të dukeshim keq në ndeshjen kundër Zvicrës. Duhej të rikuperonim një situatë ku kishim treguar shumë pika të dobëta për t’i korrigjuar. Më pas, në ato pak stërvitje që kishim bërë, kisha parë gjëra të rëndësishme, që më kthyen buzëqeshjen dhe u panë në vazhdimin e asaj ndeshjeje”.

Sa i përket Napolit, me të cilin fitoi kampionatin në vitin 2023 dhe tani drejtohet nga Antonio Conte, trajneri axurr u shpreh: “Napoli është sërish në rrugën për të shkuar deri në fund dhe për të luftuar për kampionatin. Ata po zhvillojnë një kampionat të madh, shihet qartë identiteti i fortë i ekipit. Janë të fuqishëm dhe kanë një trajner të fortë, si dhe një ambient të jashtëzakonshëm. Lobotka? Ai është një nga ata që ka ndikuar shumë. Kush luan në atë rol duhet të jetë fari i ekipit, ai e bën këtë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit