Fonseca duhet të “rilindë” Theo Hernandez-in, merkatoja e janarit nuk është zgjidhje

23 Dhjetor 2024
12:59
Alfred Lleshi
back button

Fitorja ndaj Veronës, megjithëse e vuajtur, ka rikthyer qetësinë te Milani. Kuqezinjtë kanë rifilluar marshimin dhe tashmë në fokus janë Roma e Superkupa Italiane. Ndeshja në Arabinë Saudite nuk duhet nënvlerësuar. Fitimi eventual i trofeut mund t’i japë një shije tjetër kësaj pjese të parë të sezonit për Milanin. Fonseca e di mirë këtë, por tani trajneri portugez ka një urgjencë tjetër: të rikuperojë Theo Hernandez.

Trajneri kuqezi, i cili e ka përjashtuar mbrojtësin e majtë nga formacioni titullar si ndaj Genoa, ashtu edhe ndaj Veronës, e ka kritikuar publikisht ish-lojtarin e Real Madridit: “Jimenez tani është titullari, Theo duhet të rifitojë vendin e tij”. Fonseca gjithmonë ka mohuar që kjo të jetë një masë ndëshkuese, por trajneri ka qenë i qartë edhe me vetë lojtarin: pret shumë më tepër prej tij, sidomos sa i përket qëndrimit.

Janari po afron, por është e vështirë të mbërrijnë oferta të rëndësishme për 27-vjeçarin, i cili ka shprehur interes për ta rinovuar kontratën që i skadon në vitin 2026. Manchester United dhe Bayern Munich janë të interesuar, por vetëm verën e ardhshme.

Theo është një nga lojtarët më të fortë të Milanit dhe për këtë arsye Fonseca ka detyrimin ta rikuperojë me çdo kusht. Kjo është e rëndësishme për të mirën e skuadrës, e cila është angazhuar në një garë të vështirë për Champions League. Shkëndija mes të dyve nuk ka ndodhur ende, por situata mund të përmirësohet. Ndërkohë, është radha e Jimenez të mbulojë “boshllëkun” e francezit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit