Refuzoi gigantët e Europës, rasti i pazakontë i Zidane. 1306 ditë pa u ulur në stolin e asnjë ekipi

23 Dhjetor 2024
13:14
Alfred Lleshi
back button

Më 27 maj 2021, Zinedine Zidane u largua nga Real Madridi, edhe pse i mbetej një vit kontratë. Dukshëm i lodhur dhe i zhgënjyer me drejtuesit e bardhë prej mungesës së mbështetjes, trajneri francez i dha fund periudhës së tij të dytë si trajner i klubit madrilen. Kjo periudhë nuk ishte aq e suksesshme sa e para, por gjithsesi plot me trofe. Që atëherë, “Zizou” nuk është ulur më në asnjë stol si trajner.

Rasti i Zidane është i rrallë në botën e futbollit, historia e një trajneri të suksesshëm që ka më shumë se 3 vite larg stolit, sikur të kishte hequr dorë në heshtje nga një profesion ku arriti perfeksionin me Real Madridin.

Nga 2016 deri më 2018 dhe nga 2019 deri më 2021, Zidane fitoi 11 trofe: 2 tituj të La Liga-s (2017, 2020), 2 Superkupa të Spanjës (2017, 2020), 3 Liga të Kampionëve (2016, 2017, 2018), 2 Superkupa të Europës (2016, 2017) dhe 2 Kupa të Botës për Klube (2016, 2017). Një CV spektakolare, që e bën atë një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e klubit të bardhë dhe futbollit.

Natyrshëm, në situatën e tij lind pyetja mëse logjike: Pse Zidane nuk ka pranuar asnjë ofertë deri tani? Manchester United, Juventus, PSG dhe Bayern Munich kanë trokitur disa herë në derën e tij vitet e fundit, si dhe disa kombëtare të njohura. Por Zidane ka thënë gjithmonë: “Jo, faleminderit!”

Duke jetuar në Madrid dhe fokusuar në karrierën e fëmijëve të tij, Zidane e ndan kohën mes kryeytetit spanjoll dhe Parisit, si dhe Aix-en-Provence, afër Marseille, ku menaxhon shkollën e tij të futbollit, “Zidane Five Club”, një projekt për integrimin e të rinjve në rrezik përmes sportit.

A do të rikthehet Zidane në stol? Përgjigjja është “po”, por me kushte të qarta. Zidane dëshiron vetëm dy projekte: Real Madridin ose kombëtaren franceze. Për të, besnikëria është thelbësore. Në nivel klubi, nuk e sheh veten duke drejtuar një ekip tjetër përveç Real Madridit.

Ndërsa për kombëtaren, vetëm një projekt shumë i veçantë mund ta bëjë të ndryshojë mendje. Megjithatë, për momentin, asnjëri nga këto projekte nuk është i mundshëm. Florentino Pérez ka një marrëdhënie të përmirësuar me Zidane, por stoli i Real Madridit është i zënë nga Carlo Ancelotti. Po ashtu, Didier Deschamps ka rinovuar me Francën deri në Kupën e Botës 2026.

Ndërsa Zidane gëzon jetën në Madrid, bashkëpunëtorët e tij kanë gjetur punë në vende të ndryshme. David Bettoni, ndihmësi i tij, është trajner i Club Africain në Tunizi. Gregory Dupont, përgatitësi i tij fizik, i është bashkuar Bettonit në të njëjtin projekt.

Ndërkohë, Hamidou Msaidie ka krijuar një platformë për stërvitje personale, të quajtur “Slowmotions”. Trajneri i portierëve, Roberto Vázquez, punon për Federatën Spanjolle të Futbollit me ekipet e moshave.

A është kthimi i Zidane afër? Duke parë situatën aktuale, legjenda francize e futbollit duket se po e shijon pushimin, ndaj nuk ka ndërmend të kthehet shpejt. Megjithatë, ai mbetet një nga figurat më të kërkuara në botën e futbollit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit