Në minutën e 75-të të ndeshjes kundër Atlético Madridit, Robert Lewandowski, 36 vjeç, u pengua dhe, me rezultatin 1-1, nuk arriti ta godiste dot topin pas një asistimi të shkëlqyer nga Ferran Torres. Polaku u përpoq ta mbulonte situatën me një buzëqeshje, por gabimi i tij nuk është rastësi në ndeshjet e fundit. Të dielën pararendëse, polaku kishte humbur dy raste të arta kundër Leganés. Shifrat flasin qartë. Në 11 javët e para, kishte shënuar 14 gola. Në 8 të fundit, vetëm 2 gola (kundër Celta dhe Betis). Shumë pak për një golashënues me reputacion.
Lewndowski e mbyll vitin kalendarik 2024 me 40 gola, duke qenë larg të tjerëve si golashënuesi më i mirë i ekipit. Thuajse i vetmi, po të përjashtohet fillimi brilant i sezonit nga Raphinha, që e përfundoi vitin 2024 me 24 gola. Lamine Yamal ka shënuar 12 gola; ndërsa Ferran dhe Fermín nga 10 gola secili. Në pamje të parë, këto shifra mund të duken të padiskutueshme. Por, sërish, ka debat. Edhe mosha e polakut është pjesë e këtij debati.
Lewandowski u bashkua me Barcelonën në verën e vitit 2022. Edhe pse ishte vendimtar në rikthimin e titullit të La Liga-s me 23 gola, gjysma e dytë e kampionatit, pas ndalesës për Botërorin, ishte e dobët për të. Edhe në sezonin e kaluar, performanca e tij ishte në rënie, derisa Xavi njoftoi se do të largohej. Në atë moment, Lewandowski reagoi. Sidoqoftë, fundi i bashkëpunimit me trajnerin katalanas ishte i tensionuar. Lewandowski kuptoi se Xavi nuk e shihte si të përshtatshëm për ta udhëhequr presionin e një skuadre të superelitës në Europë.
Ajo ndjesi që Xavi ua shprehu edhe drejtuesve (nuk e donte Lewandowskin në Barcelonë për sezonin 2024-2025) vazhdon të jetë e pranishme në përditshmërinë e klubit. Polaku e nisi sezonin në një nivel shumë të lartë. Ndoshta i nxitur nga Hansi Flick, i cili, pavarësisht se ndan të njëjtin agjent me të (Pini Zahavi), ishte shumë i drejtpërdrejtë gjatë verës. Ashtu siç i njoftoi Gündoganit se nuk bazohej tek ai, i bëri të qartë edhe ish-lojtarit të Bayernit se duhej të përfshihej më shumë në presion dhe se nuk do të hezitonte ta zëvendësonte nëse fiziku i tij nuk do ta lejonte.
Gjithsesi, Flick krijoi një sistem presioni të Barcelonës të përshtatur me moshën e Lewandowskit. Polaku nuk e nis presionin, por mbulon krahët, kur sulmuesit e krahut shkojnë të ushtrojnë presion ndaj mbrojtësve qendrorë kundërshtarë. Kundër Las Palmas, polaku i lejoi vetes liri mbrojtëse, ndaj Flick e ndëshkoi duke e lënë në stol kundër Mallorca, më pas duke e zëvendësuar kundër Betis (74’), Borussia Dortmundit (71’) dhe Leganés (66’). Kundër Atlético Madridit, ai luajti tërë ndeshjen, por u “përplas” me Oblak. Ose më saktë, me ajrin…
Sipas informacioneve të publikuara nga “Cadena SER” në shtator të vitit 2022, pak pas nënshkrimit të tij, Lewandowski fitoi 20 milionë euro bruto (10 neto) në sezonin e tij të parë. Në sezonin e kaluar (2023-2024), paga e tij u rrit në 26 milionë bruto (13 neto), ndërsa këtë sezon përfiton 32 milionë bruto (16 neto). Në sezonin 2025-2026, paga e tij do të bjerë në 26 milionë bruto (13 neto).
Sezoni i ardhshëm, sipas të njëjtit raport, varet nga fakti nëse Lewandowski do të luajë më shumë se 55% të ndeshjeve këtë sezon, gjë që tashmë duket e sigurt. Pavarësisht golave të tij, debati nëse Lewandowski i përshtatet Barcelonës në këtë fazë të karrierës së tij vazhdon.