Erling Haaland është një person shumë i rezervuar dhe i përdor pak rrjetet sociale, ndryshe nga shumë kolegë të tij. Futbollisti 24-vjeçar norvegjez nuk zbulon shpesh detaje nga jeta e tij private, ndaj askush nuk e dinte për një lajm të gëzuar. Disa ditë më parë, ish-lojtari i Borussia Dortmundit dhe Salzburgut qenka bërë baba për herë të parë.
Lajmin e ka bërë të ditur, pa dashje, Pep Guardiola gjatë konferencës për shtyp, mbas fitores së djeshme të Manchester City kundër Leicester. Një sukses që erdhi në një moment të ndërlikuar për Haaland, i cili nuk kishte shënuar në tri ndeshje dhe kishte humbur penallti kundër Evertonit.
“Ndonjëherë Erling është gjykuar keq, por kjo është pjesë e futbollit. Është i lodhur, ka luajtur shumë minuta. Disa ditë më parë është bërë baba për herë të parë, një gjë që i ka sjellë shumë emocione. Për të ka qenë shumë emocionuese të bërit baba”, – tha trajneri katalanas.








