Nuk mund të ishte askush tjetër veçse Denzel Dumfries, MVP i ndeshjes Inter-Atalanta 2-0. Holandezi mori çmimin “Lojtari i ndeshjes” në gjysmëfinalen e parë të Superkupës së Italisë, falë dopietës që iu dha finalen zikaltërve të Simone Inzaghit.
“Jam i lumtur për golat, por mbi të gjitha për fitoren, – tha Dumfries në “Canale 5”. – Jam i kënaqur që dhashë kontributin tim për fitoren e ekipit. Nëse mund të fitojmë gjithçka këtë sezon? Po luajmë mirë, jemi të përqendruar për të bërë mirë në çdo ndeshje. Duhet të vazhdojmë kështu dhe të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje”.
Kur u pyet për preferencat mes Juventusit dhe Milanit në finale, Dumfries u përgjigj: “Nuk kam ndonjë preferencë, sepse çdo ndeshje është e vështirë”.
Ndërkohë, Alessandro Bastoni shtoi: “Juve apo Milan? Nuk e di, por me të dyja nuk kemi bërë ndeshje të mira. Kështu që do të kemi dëshirë të madhe për revansh ndaj të dyve”.
Gjithashtu, shoku i ekipit, Yann Bisseck, komentoi performancën e Dumfries: “Nuk di çfarë të them për Dumfries, bëri dy gola me të vërtetë të jashtëzakonshëm”.







