Samuel mbron Lautaron: Lëreni të qetë, nuk është tragjedi nëse humbet një gol…

6 Janar 2025
8:48
Alfred Lleshi
back button

Ka ardhur dita e finales. Interi dhe Milani do të përballen për gjithçka, me Superkupën Italiane dhe një çmim prej 9.5 milionë eurosh në lojë. Një nga ata që sigurisht do të bëjë tifo për zikaltërit është “The Wall”, pra Walter Samuel, një nga heronjtë e “tripletës” së famshme të Interit. Argjentinasi ka folur për këtë sfidë në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”:

“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Milani është i rrezikshëm, ka energjinë e një trajneri të ri. Është një derbi, edhe pse nuk luhet në ‘San Siro’. Interi, gjithsesi, është në nivelin e ekipeve më të mira dhe po tregon formë të shkëlqyer. Kundër Atalantës meritonte ta mbyllte ndeshjen që në pjesën e parë.

Duke thënë këtë, gjithmonë duhet qëndruar me këmbë në tokë, sepse kemi ende gjysmën e sezonit përpara. E sigurt është që Inzaghi ka një skuadër shumë të mirë dhe mund të luftojë në të gjitha kompeticionet, por tani është periudha kur duhet të tregohet kujdes”.

Një tjetër temë ka tërhequr vëmendjen, megjithatë, dhe ajo lidhet me kapitenin aktual të Interit, Lautaro Martinez, për vështirësitë e tij këtë sezon para portës. “Lëreni të qetë Lautaron, – thotë Samuel. – Flitet shumë për të, madje edhe tepër. Mjafton të humbasë një gol dhe duket sikur ka ndodhur tragjedia… Për fat të mirë, shqetësimi është më shumë i të tjerëve sesa i tij.

Ai është një djalë vërtet i mrekullueshëm: pozitiv, bujar, gjithmonë e vë skuadrën para vetes. Mund ta imagjinoni sa shumë e dua unë për të gjitha gëzimet që më ka dhuruar, si argjentinas dhe si tifoz i Interit. Është normale që për një sulmues të jetë e rëndësishme të shënojë dhe, kur nuk ndodh, mund të ndihet keq, por nuk ka asnjë arsye për alarm apo shqetësim”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit